Kuvend, verifikohet mandati i deputetes Marku, Ermira Mehmeti me detyrë të re

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në kuadër të seancës së 58-të e verifikoi mandatin e deputetes Julieta Marku, e përkrahu Vendimin që Ermira Mehmeti të jetë shefe e re e Delegacionit të Kuvendit në Asamblenë parlamentare të NATO-s, i zgjodhi Dilaver Bekteshin për anëtar të Këshillit të prokurorëve publik të Republikës së Maqedonisë dhe Gjorgji Sllamkov për anëtar të Komisionit shtetëror për pengimin e korrupsionit.

Suzana Saliu nga BDI-ja theksoi se Sllamkov i plotëson kushtet që të jetë anëtar dinjitoz të KSHPK-së, por shtoi se ai duhet të jetë i vetëdijshëm se qaset në institucion të pavarur, i cili duhet të zhvillon luftë kundër korrupsionit dhe ta pengojë.

“Korrupsioni nuk zgjidhet vetëm me krijimin e institucioneve, por me luftë të vazhdueshme. Sllamkov duhet të japë vrull të ri pasi KSHPK nuk duhet të hesht, por duhet të jetë më transparente dhe më e qasshme deri te opinioni dhe të informojë se çka punon. Opinioni mendon se KSHKP-ja hesht dhe nuk e zbaton në tërësi veprimtarinë që i është dhënë për shkak të presioneve. Nëse ka disa presione KSHKP duhet t’i paraqes deri te Kuvendi”, tha Saliu.

Kuvendi sot njëzëri i miratoi ligjet për ratifikimin e Konventës për administratë të punës 1978, të Konventës për marrëdhënie të punës në shërbimet publike 1978, dhe të Marrëveshjes mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për varret e viktimave të luftës.

Pa debat i miratoi edhe ligjet për ndryshimin e Ligjit për sanim dhe rikonstruim të një pjese të bankave në Republikën e Maqedonisë, për plotësimin e Ligjit për denacionalizim, për rregullim të një pjese të borxhit ndaj Bankës së bashkuar të Zvicrës, për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit penal, për kadastër të patundshmërive, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zjarrfikës, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për planifikimin hapësinor dhe urban, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për banim. /MIA

Lajme të ngjashme

Back to top button