Millanoviq: Pa Kosovën Ballkani i Hapur është ‘palidhje’
“Kosova është një shtet i dashur për ne dhe për mua, pa qëllimin që ta sfidoj dikë, sepse unë nuk jam këtu që ta sfidoj Beogradin ose dikë të tretë. Por, Kosova është shtet i parashikueshëm, ku funksionon një demokraci mjaft vibrante dhe e gjallë”. Kështu e ka nisur sot fjalimin e tij presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, në një konferencë për media të përbashkët në Prishtinë me nikoqiren e tij, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton REL.
Presidenti kroat ka thënë se iniciativa “Ballkani i Hapur” në rast se nuk përfshin edhe Kosovën si të barabartë, atëherë” do të jetë palidhje”.
Lidhur me këtë temë ai i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve, duke thënë se Kroacia është vend i Bashkimit Evropian dhe kjo nismë nuk e prek në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Por, siç ka komentuar ai, fillimisht duhet ditur motivet e nismës së themeluar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
“Nëse iniciativa i ka qëllimet e mira, atëherë duhet ta marrim ndoshta parasysh, me kusht që të merret parasysh që të gjitha shtetet të trajtohen njëjtë” tha ai, duke shtuar se në të kundërtën, duhet pyetur se cilat janë motivet e kësaj nisme.
“Nëse kjo iniciativë nuk e mbulon Kosovën në mënyrë të barabartë, atëherë është, kushtimisht thënë, palidhje”, theksoi presidenti kroat.
Në kontekstin e nismës së “Ballkanit të Hapur”, presidentja e Kosovës ka theksuar se Kosova insiston që bashkëpunimi rajonal të vazhdojë në kornizën e Procesit të Berlinit, nismë kjo e cila, siç ka thënë ajo, ka për qëllim që t’i shtyjë shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
“Prandaj Kosova e ka bërë të qartë që alternativa e vetme që e shohim për të ecur drejt strukturave euro-atlantike, është duke qenë pjesë e Procesit të Berlinit, ku që nga fillimi ka vlejtur parimi i barazisë dhe parimi i gjithëpërfshirjes”, theksoi Osmani.
“Në momentin që Serbia heq dorë nga tendencat destabilizuese ndaj rajonit, në momentin që Serbia e njeh Kosovën si realitet i pakthyeshëm, si realitet që po ecë përpara dhe assesi nuk do të kthehet prapa, atëherë dikush mund ta marrë seriozisht deklaratën e (presidentit të Serbisë, Alleksandar) Vuçiqit se i intereson bashkëpunimi rajonal”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, presidenti kroat Millanoviq, i pyetur se a do të lejojë Kroacia, si anëtare e Bashkimit Evropian, që Serbia të hyjë në këtë union pa e njohur Kosovën, ai ka theksuar se, sipas bindjes së tij, Qeveria aktuale në Serbi dhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më shumë duan të qëndrojnë në pushtet dhe se nuk e kanë prioritet integrimin në BE.
Pse Kosova e kundërshton “Ballkanin e Hapur”?
Tri vende të Ballkanit Perëndimor kundërshtojnë të bëhen pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”: Kosova, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.
Zyrtarët në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, kanë argumentuar se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Përfaqësuesit politikë të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërkaq, mbajnë qëndrimin se nuk bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë e rrugës së tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Takimi i fundit mes liderëve të kësaj nisme është mbajtur më 21 dhjetor.