Me ardhjen e kompanisë ‘Intel’, Evropa do të fitojë çipa të avancuar

Evropa së shpejti do të prodhojë një komponentë strategjike shumë të rëndësishme në ekonominë moderne globale, pasi gjiganti amerikan i gjysmëpërçuesve ‘Intel’ kërkon vend për të ndërtuar fabrikën e teknologjisë më të avancuar të ndërtimit të çipave, shkruan Euroactiv, transmeton Portalb.mk.

Problemet e fundit me furnizimin global me çipa kanë nxjerrë në pah rëndësinë themelore të gjysmëpërçuesve, të cilët përdoren me një numër të madh produktesh, duke përfshirë makinat, televizorët dhe telefonat inteligjentë.

Kërkesa e madhe dhe mbyllja e fabrikave të gjysmëpërçuesve, veçanërisht në Azi për shkak të situatës me pandeminë, ka rezultuar në mungesë globale të çipave dhe detyroi prodhuesit e makinave si Ford, Nissan dhe Volkswagen të zvogëlojnë prodhimin.

Bashkimi Evropian dëshiron të bëhet më pak i varur nga zinxhirët e brishtë të furnizimit global, të destabilizuar nga pandemia dhe ka identifikuar gjysmëpërçuesit si me rëndësi strategjike për bllokun 27 anëtarësh.

Intel do të zgjedhë në fillim të vitit të ardhshëm një vendndodhje për fabrikat e saj evropiane – e cila do t’i bëjë çipat aq të mirë sa të maten në nanometra.

“Intel planifikon të krijojë dy njësi prodhimi secila me 1500 punëtorë dhe do të kushtojë 10 miliardë euro”, tha drejtori ekzekutiv, Pat Gelsinger.

Gjashtë fabrika të tjera mund të ndërtohen në të ardhmen, duke rritur investimin e mundshëm në 80 miliardë euro.

Gjermania është favorite

Gjermania është vendi favorit për të qenë nikoqire e Intel-it. Rajoni rreth qytetit lindor të Dresdenit tashmë pret emra të mëdhenj në industrinë e çipave si Bosch, Global Foundries dhe Infineon.

Dresden “duket se plotëson të gjitha kushtet”, tha Jean-Christophe Eloy, president i kompanisë hulumtuese Yole Developpment, e cila është e specializuar në tregun e gjysmëpërçuesve.

Rajoni i Saksonisë, i cili e mban pseudonimin “Saksonia e Silikonit”, ka një fuqi punëtore të konsiderueshme dhe potencial për pasuri të paluajtshme duke pasur parasysh afërsinë e tij me kufirin e Gjermanisë me Poloninë dhe Republikën Çeke, shtoi Eloy.

Frank Boesenberg, drejtor menaxhues i shoqatës Silicon Saxony, e cila përfaqëson interesat lokale të gjysmëpërçuesve, konfirmoi se diskutimet ishin duke u zhvilluar për të pritur projektin e Intel.

Ai përmendi fuqinë punëtore me arsim të lartë të Saksonisë, mjedisin e trajnimit dhe kërkimit, furnizuesit dhe përvojën e autoriteteve lokale në procedurat e autorizimit.

Bosch këtë vit hapi një fabrikë të re gjysmëpërçuese gjashtë muaj përpara afatit.

“Koha dhe shpejtësia janë padyshim jashtëzakonisht të rëndësishme në sektorin tonë”, tha Boesenberg për AFP.

Rajoni jugor gjerman i Bavarisë është një tjetër kandidat, por shanset e tij duken më të vogla për shkak të kërkesave logjistike të projektit dhe tensioneve para-ekzistuese në tregun lokal të punës.

Një OJQ lokale mjedisore nisi një peticion kundër fabrikës së propozuar, duke thënë se sipërfaqja e saj do të ishte e barabartë me 700 fusha futbolli dhe konsumi ditor i ujit do të ishte i barabartë me atë të një qyteti me një milion banorë.

Ndërkohë që Franca dhe Italia shihen si jashtë konkurrimit për të pritur fabrikat e Intel-it, ato mund të marrin role në kërkim dhe zhvillim ose si pjesë e zinxhirit të furnizimit, besojnë ekspertët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button