Komuna e Tetovës momentalisht nuk ka zgjidhje për shitësit e tjerë ambulant sipas shembullit të tregut të gjelbër

Për shitësit ambulant dhe tezgat e improvizuara në Tetovë të cilat uzurpojnë hapësirat publike, Komuna e Tetovës për momentin nuk mund të ofrojë zgjidhje si me shembullin e tregut të gjelbër. Kryetari i komunës, Bilall Kasami tha se do të kërkojnë vende të përshtatshme edhe për ato, shkruan Portalb.mk.

Shitësit ambulant përreth trotuareve dhe hapësirave publike te tregu i gjelbër nga e hëna u  futën brenda tregut dhe tani e tutje nga atje do e zhvillojnë veprimtarinë e tyre, në përjashtim të ditës së enjte. Nga ana tjetër, shitësit ambulant dhe tezga të ndryshme gjenden edhe në pjesë të tjera të qytetit, sidomos në pjesët qendrore dhe përgjatë bulevardit “Iliria”.

Për këtë problem, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se për momentin nuk ka një zgjidhje konkrete si ajo me shitësit te tregu, por tha se do të kërkojnë vende të përshtatshme për të vazhduar tregtinë.

“Kemi ndërhyrë në pikat më problematike, që është në pjesën e tregut të gjelbër. Ne do të shkojmë më tej por do të ndërhyjmë gjithmonë aty ku mund t’u ofrojmë zgjidhje alternative qytetarëve sepse e dimë që duhet të shesin diku. Pra në pjesët tjera do të vazhdojmë me aksionin por kur do t’u ofrojmë zgjidhje sepse tregu tashmë e kishte një zgjidhje për të hyrë dhe me mirëkuptimin tonë të ndërsjellë tashmë kemi rënë dakord që t’u ofrojmë kushte për të hyrë në treg dhe mendoj se problemi tashmë është i zgjidhur” tha Bilall Kasami.

Rikujtojmë që në pikat për 100 ditëshin e parë të qeverisjes me Komunën e Tetovës, Bilall Kasami ka vendosur edhe dy pikat e poshtëshënuara:

  • Trotuare dhe hapësira publike të lira. Pronarëve të shitoreve nuk do ju  lejohet ekspozimi i mallrave dhe produktet në hapësira publike trotuar, rrugë apo hapësira jo adekuate për shitje.
  • Pronarëve të dyqaneve nuk do ju lejohet rezervimi i parkingjeve para dyqaneve të tyre. Ato do të duhet të sinjalizojnë një hapësirat hyrëse nëse presin furnizime me mallra.

Të pyetur për këtë nga Portalb.mk se si do i realizojnë këto dy pika, nga Komuna e Tetovës u përgjigjen kështu:

“Pjesërisht përgjigjen e kësaj pyetje e keni në Njoftimin e lëshuar për mediat që ka të bëjë me lirimin e hapësirave publike dhe lirimin e trotuareve përreth tregut të gjelbër, kurse pas rregullimit në këtë pjesë të qytetit do të ndërmerren aktivitete edhe për pjesët tjera, pra ky plan zhvillohet në etapa.”

Rikujtojmë që gjatë periudhës parazgjedhore, i pyetur po për këtë problematikë se si do adresohet problemi i shitësve ambulant dhe si do çlirohen hapësirat publike konkretisht përgjatë bulevardit “Iliria”, Kasami u përgjigj kështu:

“Ne planifikojmë që aty të ndërtojmë te pjesa e tregut të gjelbër një parking nëntokësor me çka do të mundet qytetarët të kenë qasje më të lehtë deri te parkingu dhe gjithashtu të mbulojmë komplet tregun e gjelbër që këta shitës ambulant të kalojnë brenda, dhe njëherë e përgjithmonë të lirojmë rrugën dhe trotuarin. “

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button