Në Strugë, mbi 60 sheshe, rrugë dhe bulevarde, asnjë me emër shqiptar

Çështja  riemërtimit të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve në Strugë ka mbetur e pa ndryshuar edhe përkundër përpjekjeve që janë bërë në vitin 2006 në këtë drejtim. Kështu, si është tani ,nga mbi 60 sheshe, rrugë dhe bulevarde, në Strugë, asnjë nuk është emërtuar me emrin e ndonjë personaliteti të shquar të historisë apo kulturës shqiptare.

Këtë fakt, për Portalb e pohon edhe ish kryetari  i Këshillit Komunal të Strugës, nga radhët e BDI-së, Sefulla Hani, i cili thekson se ka qenë ai ndër të parët që ka nisur përpjekjet për arritjen e një marrëveshje me koordinatorët e grupeve të këshilltarëve të subjekteve politike të përfaqësuara në Këshill, që kjo çështje të zgjidhet, por fatkeqësisht, sipas tij, zgjidhja nuk është arritur.

“Kemi biseduar për këtë çështje edhe me ish kryetarin e parlamentit, Lubisha Georgievski, i cili është shprehur dakord që kjo nismë të marrë rrugën e zgjidhjes, por  nuk ia arritëm këtij qëllimi. Ne në atë kohë na u problematizua edhe çështje statutit të komunës, sepse  Gjykata Kushtetuese na e hodhi poshtë vendimin, për  gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Komunën e Strugës, ndaj nisma nuk përfundoi me sukses. ”, thotë Hani.

Në këtë kontekst ai përmend edhe peripecitë e Komunës së Tetovës në sjelljen e vendimit për ndryshimin e emrave të rrugëve, vendim ky i sjellë mbi bazën e parimit të Badinterit, por që më pas u problematizua.

Shpëtim Pollozhani,  njëri nga ish anëtarët e këtij këshilli, i cili kur ka ngritur nismën për ndryshimin e kësaj gjendje, ka theksuar se, në Strugë, rrugët janë emërtuar me emra të  subjekteve që akuzohen për pjesëmarrje në gjenocid (APJ),  nga Gjykata e Hagës, por jo edhe me emra të personaliteteve shqiptare.

Ndërkaq, do të jetë e vështirë,  që  të ndryshohet diç në këtë drejtim, pa një kompromis politik midis përfaqësuesve të dy komuniteteve më të mëdha që jetojnë në Strugë, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Madje praktika ka treguar se edhe kur ky kompromis është arritur,  çështja nuk është zgjidhur, sepse ka qenë qeveria  ajo që ka kontestuar ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve, me arsyetime të ndryshme.

Ish kryetari i Këshillit Komunal tëStrugës, ka theksuar se problemi nuk është zgjidhur edhe për faktin që kur është aktualizuar nisma, subjektet maqedonase të përfaqësuara në Këshill, kanë rënë dakord  për emërtimin e vetëm pak rrugëve (katër a pesë) me emra të  personalitete të historisë apo kulturës shqiptare.

“Kjo ka qenë e papranueshme për ne. Synimi ynë ishte që edhe emrat e rrugëve, të shesheve dhe  bulevardeve në Strugë të përfaqësojnë përbërjen etnike të Komunës. Katër a pesë rrugë me emra  shqiptarësh dhe të tjerësh, ka qyteti i Ohrit”, thotë Hani. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button