Yllkës

Kujtimet rrokullisen ortek
Nëpër rropamen e së kaluarës
S’i dallgë të tërbuara
Dhe përplasin njëra-tjetrën në kohë.
Gjaku i turbulluar
Herë zbehet herë ndizet
Nëpër domarët ngërthyer të trupit…
Se dhuna s’e ndal dot rrugën e kujtimeve
E të pakapshme mbeten
Si ëndrrime të lashta
Që ende dergjen në agoni;
Dhe them:
„Sa rëndë gërryeka malli bija ime!
Deri në përqfimin tonë
Sikur ndërron, çirrnoset
Sikur më ndrydhet një çikë buzëqeshja e çiltër
Në vezullimin e lotit të ngrohtë
Që gurëzohet në mollëzën e faqes së njomë
Se pritja ndrydhë e ndrydhë kohën
E zemra ndrron udhën e saj
E do të dalë nga krahrori
Se natë më natë këputen
Vargonj të lidhur në shekuj,
Tinguj të dhembjes
Lënurin kërhanët e kohës lehonë
Simfoni e gjatë deri në pafundësi
Simfoni e shurdhër
Mbetur nëpër intervale të kohës…
Dhe prapë
Nëpër timpanin e veshëve
Si jehonë e zanave-lemeri
Më trumbetojnë të pakëputura
Qirrjet dhe thirrjet e vogëlushes
Që vrapon deri në përqafimin tim
Që pret e mbetët në grila
Dridhet nga të ftohtit, nga veriu
Dhe me buzëvajë shkëput fjalë:
„E pamë babanë
Ishte mirë se ishte gjallë…
Ishte i hollë dhe i këputur.
Por i fortë dhe i qëndrueshëm…“
Eh, bija ime
Dhe ju voglush të truallit të çarë,
Sikur shumë herët
Koha na ngarkoi peshën e saj
Edhe në fytyrën tuaj të përvuajtur
Po lë gjurmë kjo natë, kjo ndarje
Që e nesërmja do ta gjykojë
Me vulën e turpit do ta mbulojë…
Shumë net të gjata paska jeta, bija ime
Net kur përpëlitet jeta dhe qëndresa,
Net të gjata, net pa gjumë
Të errta si futa
Që s’maruakan kurrë
Kur vetminë e kisha mike
Dhe më mbështillej si plaf i zi…
Buzëqeshjet tuaja
Si bozhure t’Kosovës
Që vetëm në atë truall mbijnë
Edhe n’breg të humnerës më bënin që ta mund vdekjen.
Dhe kështu nëpër pëlhurën e mjegullës
Hallakas ndonjë kujtim të ngrohtë
Të ruajtur diku nëpër mote
Pranë sofrës dhe pranë lojërave
Ti vjen në përqafimin tim
Dhe me fjalëza cicërrimë zogu
Më thirrje herë baba, herë bablok
Por sonte
Në dridhërimen e duarve
Dëgjoj oshëtimë
Dëgjoj gurgullimen e gjakut që vlon
Në fotografinë përballë
Që më rri kundruall
Si engjull i trembur
E lëmshi i kujtimeve këput fillin
Herë m’i lidh nyje motet e djeshme
Të tjerrura nëpër flakën e thirrjeve
Që ishin va e pa va
Belbëzime foshnjore ishin
Cicërimë zogjsh ishin…
Cila fjalë i këputi?
Cila dorë i ndali…?
Eh, bija ime, sa thellë po grryeka malli
Kur koha bëhet e shurdhër
Kur pritja ndrydh kohën
E koha e lidh në vargoj vetveten
Ti do të rritesh me mocanikë bija ime
E kur fle në gjum mbase do të trembesh
Se druaj
Ëndrra të rënda pjellin këto kohë
Pjellin dhe fantazma
Lëkundin perdet e tmerrit…
Por në mëngjes do t’i harrosh
Dhe them me të drejtë
Që kurrë të mos i kujtosh
Në lojën që ta sjellë dita
Se dita thonë sjellë gëzimin…
E natës ruaju.
Se ajo thonë zgjon trishtime
Se unë edhe në prakun e pamundësisë,
çdo ditë ta ruaj lotin
Dhe buzëqeshjen e çiltër
Dhe ta ndez purpurin nëpër shkronjat e emrit
Nëpër rrezet e diellit
Dhe në sfondin e gjithësisë
Emri yt do të qëndisë tokën
Me një copë diell
Edhe në këto bregore…
Pra,bija ime
Mbill bozhure në atë kopsht
Se ato vetëm atje mbijnë
Në ato fusha kaltërore
Ku ylberi prek brigjet e ndara
Qëndis ato fusha me lulëkuqe
Dhe thurr kurora me lapidarë
Pra s’qenka çudi
Pse kaq rënd peshon sot malli
Pse kaq thellë gërryen zjarri
Për një fjalë të urtë, të lashtë
Durimi i djegur në pritje gjatë
Që të rritesh me prindër bashkë

cz.tetor; ’83

Shkroi: Halil Alidema

Marrë nga „Rilindja“ (botuar më 30 Mars 1996)

Kjo poezi është shkruar në kohën kur autori Mr. Halil Alidema ishte në burg, dhe i kushtohet vajzës së vogël Yllkës, e cila ishte në një moshë fare të vogël vetëm tre vjeç.

Përgatititur nga, Safet Sadiku)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button