Kërçovë, romët kërkojnë punësime dhe arsimim

Komuniteti rom në Kërçovë, sot shënoi 8 Prillin, respektivisht, ditën ndërkombëtare të romëve. Pjesëmarrës në kërë manifestim ishin Avokati i Popullit, Kryetari i Myftinisë së Kërçovës, Murat Useini, përfaqësues të këshillit të komunës dhe qytetar të përkatësisë rome.

“Edhe pse ekzistojnë tendenca që romët t’i karakterizojnë si popull kriminel në sot jemi mbledhur këtu për të dëshmuar që dimë të jemi të kulturuar dhe të qytetëruar. Romët janë popull shtetformues të këtij vendi dhe të drejtat tona duhet të jenë të barabarta si edhe të popujve tjerë që jetojnë këtu. Me vite të tëra jemi diskriminuar padrejtësisht si në arsim edhe në punësim. Ekzistojnë raste kur nëpër shkolla romëve ju caktohen klasa të veçanta për mësim dhe quhen, klasa të romëve. Ka shumë raste kur romët nuk pranohen në punë vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Ne kërkojmë që kjo të ndryshojë, duam që të arsimohemi, të punësohemi dhe të kemi të drejta të barabarta si popujt tjerë jo vetëm në Maqedoni por në të gjithë botën” tha organizatori i këtij tubimi, Emin Mahmudoski.

Në mungesë të kryetarit të ri të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, fjalën e mori këshilltari i komunës, Ibrahim Koça.

“Në emër të kryetarit Fatmir Deharit, kërkoj ndjesë për mospraninë e tij për shkak të një udhëtimi zyrtarë për në Tiranë. Në emrin e tij dhe të gjithë komunës unë ju sigurojë që komuniteti rom do të ketë mbështetje të fortë nga organet komunale dhe  romët do të trajtohen si të gjithë të tjerët në Kërçovë. Ju keni nje veti për të cilën popujt tjerë ju kanë lakmi. Keni një shpirt të lirë dhe nuk duroni pranga. Duhet të jeni krenarë për këtë” tha Koça.

Kryetari i Myftinisë së Kërçovës, Murat Useini, i uroj komunitetit rom përparim, zhvillim dhe arsimim efikas. 

“E rëndësishme për ne është identiteti i përbashkët fetarë me të cilin krenohemi. Në këtë vend jemi me vullnetin e Zotit dhe këtu do të mbetemi ”shtoi Useini.

Në entin për punësim në Kërçovë, numri i të regjistruarve rom të papunë është mbi 700. Kurse numri i atyre që jetojnë me ndihma sociale është mbi 1400 persona. Statistikat shtetërore për regjistrimin e popullsisë flasin për 56 mijë rom të regjistruar kurse supozohet se numri i tyre është dyfishë më i lartë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button