MOST: Votimi pa incidente, kishte votues pa adresë në Qendër

Asociacioni qytetar “MOST” sot vlerësoi se votimi në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2013 është zhvilluar në përgjithësi në atmosferë të qetë, me disa parregullsi minimale.

Nga ky asociacion gjithashtu thanë se parregullsitë më të shpeshta në këtë raund të dytë të zgjedhjeve kanë qenë votimet familjare, mospërdorimin e llambës UV, fotografimi i fletëvotimeve si dhe mosrespektimi dhe keqpërdorimi i procedurës për votim  të personave që nuk mund të votonin vetë.

Sipas MOST, në këto zgjedhje ka pasur edhe situata që kanë lënë hapësirë për mosbesim të së dhënave në Listën e zgjedhjeve. 

“Në disa vendvotime dje u paraqitën disa persona për të cilët dyshohej nëse vërtet kanë adresë banimi në Qendër. Dilemat e njëjta i kishin edhe këshillat zgjedhorë. Gjatë dy raundeve zgjedhore një parti politike kërkoi nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor t’i verifikojë të dhënat në bazë të cilave kritere janë regjistruar në regjistrin zgjedhor 13 869 votues të rinj. Kërkesën në fjalë KSHZ e ka dërguar në MPB, si organ përgjegjës për lëshimin e dokumenteve personale. Por deri më sot ky institucion nuk është përgjigjur rreth kërkesës në fjalë”, u shpreh drejtori ekzekutiv i Asociacionit MOST, Darko Aleksov.

Si pozitiv e vlerësojnë vendimin e KSHZ-së që ta shkarkojë KKZ-në në Çair dhe KZ-në  në 13-të vendvotime  në të cilat nuk ishin pranuar rezultatet e para zyrtare për zgjedhjen e kryetarit të komunës.  

Fushata zgjedhore e raundit të dytë sipas MOST-it karakterizohet me  shkallë më të ulët të aktivitetit në terren nga ana e subjekteve politike, ndërsa fushata u zhvillua me intensitet më të ulët në javën e parë, ndërsa aktivitetet ishin intensifikuar në ditët e fundit gjatë fillimit të heshtjes zgjedhore.

Asociacioni qytetar MOST e ndoqi raundin e dytë të votimit të zgjedhjeve lokale me 2.080 vëzhgues, me çka ishin përfshirë rreth 55-60 për qind në çdo prej komunave në të cilat zbatoheshin votimet. 

Lajme të ngjashme

Back to top button