OSBE/ODIHR: Rrethi i dytë zgjedhor me frikësime dhe parregullsi, mediet e partizuara

Sikurse rrethi i parë i votimit, edhe rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ishte me konkurrencë të lartë dhe ato u administruan në mënyrë efikase, por mbulimi partiak mediatik dhe mosndarja e qartë e aktiviteteve shtetërore dhe atyre partiake, përsëri, ishte shkak për mungesë të mundësive të barabarta për garim, konkluduan vëzhguesit ndërkombëtarë të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të OSBE-së (ODIHR) në deklaratën e lëshuar sot.

“Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, kandidatët kishin mundësi ta zhvillojnë fushatën e tyre në mënyrë të lirë, pa pengesa të panevojshme”, tha ambasadori Geert-Hinrich Ahrens.

Shefi i Misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve. “Në të njëjtën kohë, misioni ynë vazhdoi të pranojë akuza për frikësimin e votuesve dhe keqpërdorimin e resurseve shtetërore” tha ambasadori Geert-Hinrich Ahrens.

Ai poashtu tha se, “votimi i ditës së diel përsëri u zhvillua në mënyrë të qetë dhe të rregullt”, por se “vazhdojnë shqetësimet sa i përket situatës me mediumet. Mediumet plurariste dhe ndarja e qartë ndërmjet aktiviteteve shtetërore dhe mbulimit të fushatës zgjedhore janë vitale për demokracinë” .

Kornizës ligjore i mungojnë detaje për çështjet që kanë të bëjnë me rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, që le hapësirë për reforma të vazhdueshme, thuhet në deklaratë. 
Komisioni Shtetëror Zgjedhor vazhdoi të punojë në mënyrë transparente dhe iu përmbajt afateve kohore zgjedhore, por kolegialieti i tij u dëmtua gjatë shqyrtimit të ankesave, me ç’rast vendimet u bazuan kryesisht në përkatësinë partiake.

Pas votimit në rrethin e parë, pati shqetësime edhe më të mëdha sa i përket saktësisë së listës zgjedhore të votuesve. Vendimi që disa qytetarëve të mos u lejohet të votojnë në rrethin e dytë, përkundër faktit se ata gjendeshin në listat zgjedhore, e sfidoi parimin universal dhe të barabartë të të drejtës për të votuar, të cilin, vendet anëtare të OSBE-së janë marrë vesh që ta respektojnë.

Në deklaratë thuhet se mbi 400 ankesa që u parashtruan pas rrethit të parë të zgjedhjeve, akoma presin për t’u shqyrtuar nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

“Mungesa e procedurave të qarta për trajtimin e ankesave nuk garanton procedurë efektive dhe në kohë, për ankuesit.Dita e zgjedhjeve ishte e qetë… Shumica e rasteve të numërimit të votave dhe të mbledhjes së rezultateve u vlerësuan pozitivisht” shkruhet në raport. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button