Sela: Ju e mposhtët Gruevskin dhe Cërvenkovskin, Struga përjetësisht do të jetë shqiptare

Shqiptarët në Strugë mbrëmë festuan fitoren e kandidatit  Ziadin Sela. Në sheshin “Nënë Tereza” ishin tubuar mbi 15 mijë qytetarë për të  festuar dhe përgëzuar fitoren, ndërsa në mesin e tyre qëndroi Ziadin Sela, tanimë kryetari i komunës së Strugës.

“Ju faleminderoj nga zemra juve 21 mijë votuesve që ju shënuat këtë fitore duke mos u trembur as nga policia e as nga njësitet speciale. Sot fitorja është shumë e ëmbël sepse keni qenë ju që ata bashkë me mua shënuam fitore. Ju sot e keni fituar Nikolla Gruevskin, e keni fituar Branko Cërvenkovskin, prandaj unë ju uroj juve për këtë fitore. Bravos!. Unë ju kërkoj ndjesë se nuk mundem të përmendë 21 mijë emra, por disa më duhet ti përmendë. Faleminderoj nga zemra kolegun tim Arben Labënishtin, sepse ashtu si e ka tradita familjare shqiptare, e çuam këtë rrugë bashkë që Struga edhe sot është shqiptare dhe jo vetëm për sot, por për jetë e mot. Ua premë shpresat atyre që u munduan me gjithçka dhe tani më nuk kanë shpresë se mund të fitojnë në Strugë”, theksoi Sela, duke shprehur falimenderime për Partinë turke, Partinë e egjiptianëve dhe të gjithë  të tjerët. 

“Faleminderoj edhe familjen time që më mbështeti. Një ditë vajza ime edhe pse e vogël më tha se ti babi po të hipi ty inati, ti fiton. Mua nuk më hipi inati, por iu hipi juve inati dhe shënuam fitore. Ne jemi të civilizuar, jemi bujarë, dhe prej nesër do ti shtrijmë dorën bashkëqytetarëve tanë. Unë sot i porosita që të mos bëhen pjesë të konstruksioneve të Gruevskit. Do të punojmë për të gjithë se ashtu kemi premtuar. Mos i shihni me urrejtje bashkëqytetarët, shtrijani dorën por le ta dinë mirë ata që bëjnë skenare se Struga ka qenë, është dhe do të jetë shqiptare. Duam ta shohim Strugën me investime, me urbanizëm, të paktën me shëtitore dhe me plazhe për qytetarët, ta shohim Strugën si destinacion turistik e të pastër. Ta gëzojmë Strugën tonë shqiptare të gjithë ne”, theksoi Ziadin Sela.
Pas festimeve në Strugë Sela qëndroi në fshatin e tij të lindjes, në Livadhi, ku së bashku me të afërmit e tij, bashkëfshatarët por edhe mysafirë të shumtë që vinin nga qytetet e tjera festuan fitoren deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. 
Kryetari i ri i komunës së Strugës realizoi gjithashtu edhe një video konferencë me komunitetin shqiptar në Amerikë të cilët gjatë fushatës mbështetën kandidatin Sela për kreun e komunës së Strugës.

Lajme të ngjashme

Back to top button