Serbi, fundjava e tretë me protesta

Është e shtuna e tretë me radhë, që në Serbi janë bllokuar disa rrugë në gjithë vendin. Kërkesat e mëparshme të protestuesve që të ndryshohen Ligji për Referendum dhe Shpronësim, qeveria i miratoi, por kërkesa e protestës së re është që kompanisë ndërkombëtare, Rio Tinto të mos i lejohet eksploatimi i litiumit në perëndim të Serbisë, transmeton REL.

Rio Tinto renditet si kompania e gjashtë në botë për metal e miniera. Fjala është për një kompani multinacionale britaniko-australiane, me seli në Londër, e cila operon në 35 shtete të botës.

Plani i kompanisë është që të ndërtojë një minierë për litium në qytetin e Lloznicës, në perëndim të Serbisë, gjë të cilën qytetarët po e kundërshtojnë me javë të tëra.

Organizatori i protestës së 11 dhjetorit në Serbi është lëvizja, Kryengritja Ekologjike. Sipas kësaj lëvizjeje, në gjithë Serbinë janë bllokuar më shumë se 50 lokacione në Serbi. Megjithatë numri i qytetarëve pjesëmarrës në protestë është më i ulët se javën e shkuar.

Kërkesa mbetet e qartë, që miniera e litiumit e kompanisë Rio Tinto të fshihet nga hapësira planifikuese e qytetit të Lloznicës, dhe të mos lejohet eksploatimi i litiumit as në pjesë të tjera të Serbisë.

Organizatorët kërkuan nga policia që të tërheqë edhe gjobat ndaj protestuesve të dy javëve të shkuara dhe të ndjek penalisht sulmuesit e protestuesve.

Kërkesat e dy bllokadave të shkuara ishin më ndryshe. Atëherë kërkohej që të tërhiqeshin Ligji për Shpronësim dhe Referendum, sepse konsiderohej që këto ligje u konvenojnë më shumë kompanive, fillimisht Rio Tintos.

Por nga Rio Tinto kanë përjashtuar akuzat dhe kanë thënë se do të kenë konsideratë për mjedisin.

Qeveria megjithatë e tërhoqi Ligjin për Shpronësim më 10 dhjetor, ndërkaq ai për Referendume është plotësuar.

Lëvizja “Nisu-Ndrysho”, organizatore e dy bllokadave të para tashmë është tërhequr nga protestat sepse vlerësoi se dy kërkesat janë realizuar.

Njëkohësisht, Ministria e Brendshme e Serbisë i ka vlerësuar edhe bllokadat e rrugëve të 11 dhjetorit si të kundërligjshme, ndonëse në asnjë qytet serb nuk është raportuar për incidente dhe protestat po zhvillohen në mënyrë të qetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button