RMV, të rinjtë në Social Day mblodhën fond prej 95.000 denarë, tani është në radhë realizimi i tri projekteve

Nxënësit e shkollave të mesme dhe të vitit të parë të fakulteteve në Ditën e parë Sociale (Social Day) që u mbajt në Maqedoni arritën të mbledhin 95.000 denarë në fondin për të rinj, të cilat do të përdoren për realizimin e tri projekteve rinore në tre muajt e ardhshëm. Në Social Day, që u zhvillua më 10 nëntor të këtij viti, 80 të rinj punuan në pozita në 30 kompani të ndryshme në vend dhe arritën të mbledhin mjete për realizimin e tri projekteve, që këtë fundjavë u zgjodhën në hakaton – “Këndi akademik” dhe “Proaktiv” në Shkup dhe “Këndi rinor” në Radovish, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Tri skuadrat nga Shkupi dhe Radovishi në tre muajt e ardhshëm do të punojnë në realizimin e zgjidhjeve të tyre konceptuale dhe do të kenë afat për t’i realizuar deri më 10 mars 2022, ndërsa prezantimi i tyre është planifikuar për 11 mars të vitit të ardhshëm.

Sot u zhvillua ngjarja finale për të falënderuar të rinjtë dhe kompanitë që morën pjesë në Social Day, ndërsa ngjarja u zhvillua një muaj më vonë pasi u grumbulluan të dhënat, u gjetën të rinjtë dhe u finalizua fondi.

“Krijuan një ditë vërtet interesante dhe ua mundësuan të rinjve që, në vend se të shkojnë në shkollë, të punojnë e më pas mëditjet e fituara t’i drejtojnë te fondi i të rinjve”, tha koordinatorja Sofija Stojanovska nga Asociacioni qytetar Rinia Mundet.

Qëllimi i Social Day ishte që duke krijuar fondin rinor, por edhe me orientimin në karrierë të të rinjve dhe krijimin e lidhjes mes sektorit të biznesit me të rinjtë, të krijohet përgjegjësi sociale tek ata, thotë Sofija.

Plani është që Fondi Rinor nga viti në vit të rritet, së bashku me realizimin e Social Day edhe në vitet e ardhshme në Maqedoni. Këtë vit koncepti u promovua si një ditë kur mund të punoni në karrierën tuaj.

“Vetë dita dhe projektet që do të zhvillohen tani në një farë mënyre do të ndërlidhen me mënyrën sesi të rinjtë mendojnë që mund të promovojnë përmirësim të arsimit dhe orientim në karrierë të të rinjve në vendin tonë,” shpjegon Sofija.

Projektet e përzgjedhura që do të realizohen janë bërë nga të rinjtë, të cilët këtë vit morën pjesë në Social Day, prej të cilëve u formuan tre ekipe, me gjithsej 16 të rinj që do të punojnë në to.

Ekipi “Këndi Rinor” nga Radovishi, prej shkollës së mesme të qytetit, do të pajis një kënd rinor i cili do të jetë qendër për shoqërim, rritje dhe zhvillim personal të të rinjve. Ideja e tyre është që atë hapësirë ta përdorin, kur humbin orë mësimore, të vijnë aty dhe të punojnë ose të shoqërohen me ndihmën e mjeteve ndihmëse interaktive. Përveç kësaj, pas orëve ajo hapësirë ​​do të përdoret për punëtori për rritjen dhe zhvillimin e tyre personal.

Ekipi i dytë është nga Shkupi, i cili do ta realizojë projektin “Këndi akademik” dhe në të marrin pjesë nxënës të shkollave të mesme “Orce Nikollov” dhe “Zdravko Cvetkovski”. Të rinjtë duan të krijojnë kënde kujdestarie në këto shkolla të mesme, ku të ndihmojnë njëri-tjetrin rreth lëndëve për të cilat kanë nevojë për më shumë ndihmë për mësim gjatë shkollimit të tyre.

Ata duan të bëjnë programe dhe të sigurojnë ambiente brenda vetë shkollës, ku pas orëve të mësimit ndonjë nxënës, i cili është më i mirë në matematikë ose biologji, për shembull, të mund të mbajë kurse kujdestarie për gjimnazistët e tjerë. Nëpërmjet fondit rinor, ky ekip dëshiron të sigurojë materiale (mikroskopë, epruveta etj.) përmes të cilave ata mund të bëjnë eksperimente dhe të mësojnë më shumë brenda lëndëve të caktuara shkollore.

Projekti i tretë është i orientuar për rritje dhe zhvillim personal, ku ekipi “Proaktiv” nga Shkupi do të organizojë disa punëtori me ekspertë të ndryshëm në tre muaj. Këto ngjarje do të jetë në gjendje t’i ndjekë çdo person i interesuar, duke përfshirë edhe punëtori në mënyrë që të rinjtë të mund të njohin veten se si mund të punojnë në karrierën e tyre ose në çka duhet personalisht të përqendrohet njeriu për të zhvilluar aftësitë personale.

Ndryshe, disa nga kompanitë që morën pjesë aktive në Social Day janë: Qendra për Aktivizëm Rinor Krik, Ultra, Fondacioni Fridrih Ebert, SCOOP kafeneja, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Codit Solution, Agjencia Private DEKRA, IT Labs, Fondacioni Konrad Adenauer, Studio kozmetike Tropik Beleca, LEAD Shkup, Akademia e Biznesit Smilevski, EURONIKEL – Kavadar, ISHP Farmaci DNA ANNI FARM, Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë, RESORT MAVROVË, Ultranet, kafeneja Mikel, Tineks markete dhe Miniera Buçim.

Përveç falënderimeve për të gjithë ata, për përkrahjen mediatike të Ditës së parë Sociale në vend, sot letra falënderimi pranoi Fondacioni Metamorfozis dhe agjencia e lajmeve Meta.mk, të cilat në mënyrë aktive ndjekin aktivitetet novative të Asociacionit të Qytetarëve Rinia Mund .

Të rinjtë mund të premtojnë se vitin e ardhshëm Dita Sociale do të jetë një ngjarje edhe më e madhe, me më shumë të rinj të përfshirë, por edhe me kompani nga i gjithë vendi. Ky koncept filloi në Suedi dhe mbahet në vendet evropiane prej disa dekadash si Solidarity Action Day. Për gati 10 vjet, kjo ngjarje organizohet në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, ndaj koncepti njihet si i rëndësishëm në vendet fqinje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button