Olaf Scholz bëri betimin si kancelar i ri i Gjermanisë
Olaf Scholz bëri betimin si kancelar i ri i Gjermanisë, duke i dhënë fund mandatit historik 16-vjeçar të Angela Merkelit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Scholz është nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SPD), parti e cila fitoi numrin më të madh të votave në zgjedhjet e përgjithshme të 26 shtatorit. Ai zyrtarisht u zgjodh kancelar nga parlamenti me votat e partisë së tij dhe partnerëve të rinj të koalicionit, të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP).
Politikani 63-vjeçar fitoi 395 nga 707 votat në parlament ndërsa koalicioni i tre partive ka gjithsej 416 ulëse në Bundestagun gjerman.
Partia Socialdemokrate shënoi një fitore të ngushtë në zgjedhjet e 26 shtatorit përballë kristian-demokratëve të Angela Merkelit ndërsa më pas arritën një marrëveshje të koalicionit me dy parti më të vogla pas bisedimeve që zgjatën me muaj.
Kancelarja gjermane Merkel nuk mori pjesë në këto zgjedhje dhe ajo do të largohet nga pjesëmarrja aktive në politikë pas largimit nga detyra.
Merkel ishte kancelarja e parë grua e Gjermanisë, ndërsa ajo shërbeu mandatin e dytë më të gjatë këtë shekull, pas kancelarit Helmut Kohl, i cili ishte në detyrë 11 ditë më gjatë se Merkeli.