Përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor vizitoi Shkupin: Punojmë në eurointegrim sa më të shpejtë të Maqedonisë së Veriut

Integrimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian ka qenë në fokus të vizitës së sotme të përfaqësuesit special të SHBA-së, Gabriel Escobar në Shkup. Në vizitat që ai realizoi në kuadër të kësaj vizite me krerët e lartë shtetëror, Escobar ka shprehur mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për këtë proces, duke përcjellë porosi të qarta se, së bashku me partnerët e evropianë punojnë që të sigurojnë integrim më të shpejt të vendit në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

“Dëshiroj të shpreh falënderimin tonë ndaj Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe përkushtim ndaj NATO-s dhe gjithashtu dëshirojmë të shpreh mbështetjen e fuqishme të administratës sonë për eurointegrim të shpejtë të Maqedonisë së Veriut dhe ne punojmë me partnerët tanë evropian që të sigurojmë që ajo të ndodhë shumë shpejtë. Mendoj se të gjithë mund të pajtohemi se, Maqedonia e Veriut në aspektin e kulturës, historik dhe gjithnjë e më shumë ekonomik, është pjesë e Evropës dhe ju duhet ta keni vendin tuaj në tavolinë. Në atë aspekt, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet tuaja që të tregoni fleksibilitet në procesin e integrimit dhe në zbatimin e reformave të mëtejmë që ajo të bëhet realitet. Po ashtu, shqyrtojmë mundësitë për përforcim të pozicionit udhëheqës të Maqedonisë së Veriut në raportet ndërkombëtare që të gjejmë zgjidhje për çështjet që janë sfidë për Aleancën dhe për rajonin e Ballkanit dhe Evropën në tërësi”, deklaroi Escobar në konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani.

Foto: MPJ

Ndërkohë, Osmani tha se, SHBA luan rol kyç në stabilitetin e RMV-së dhe se së bashku, siç  shpreh ai “kemi transformuar shtetin tonë dhe i kemi përmirësuar raportet tona me fqinjët”. Ai tha se, SHBA ka ndikuar në ruajtjen e demokracisë e qetësisë së shtetit prej pavarësimit dhe se është i bindur se do të ndihmojnë seriozisht edhe për tejkalimin e mosmarrëveshjes me Bullgarinë.

“Nuk ka dyshim se perspektiva evropiane e Ballkanit perëndimor është investimi më i sigurt i stabilitetit në rajon. Tash është momenti që BE të fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe kjo do të ishte një konfirmim i madh për ne që tu mbetemi të përkushtuar reformave demokratike dhe të përshpejtojmë integrimin tonë evropian. Së bashku me aleatët tanë punojmë së bashku dhe me përkushtim për ardhmëri më të mirë në rajon dhe nuk guxojmë të lejojmë kthimin e politikave të viteve 90-ta. Në plan bilateral jemi të fokusuar të përforcojmë luftën kundër terrorizmit. Shpresoj se interesi i investitorëve do të vazhdojë”, tha Osmani.

Diplomati amerikan, vizitën e tij e filloi me takimin me presidentin e vendit, Stevo Pendarovski. Në takim u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, si dhe për gjendjen në rajon. Presidenti Pendarovski theksoi rëndësinë e mbështetjes së fuqishme dhe të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara në arritjen e qëllimeve strategjike të vendit tonë që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.

Gabriel Eskobar dhe Stevo Pendarovski, foto: Kabineti i presidentit
Gabriel Eskobar dhe Stevo Pendarovski, foto: Kabineti i presidentit

“Lidhur me aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, presidenti Pendarovski rikonfirmoi pritjet për fillimin e shpejtë të negociatave për anëtarësim, duke theksuar se zhbllokimi i procesit integrues do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe zhvillimin e përgjithshëm të rajonit. Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski falënderoi për mbështetjen e administratës amerikane dhe personalisht zëvendës ndihmës sekretarin shtetëror Escobar për nevojën e përparimit të vendeve të rajonit drejt BE-së”, kanë njoftuar nga kabineti i presidentit.

Escobar është takuar edhe me kryeministrin, Zoran Zaev. Nga Qeveria kanë njoftuar përmes një komunikate se, diplomati amerikan ka theksuar gjatë takimit se, vizita e tij në vend ka për qëllim të theksojë mbështetjen e SHBA-ve për pjesëmarrje aktive të Maqedonisë së Veriut në NATO, për përshpejtimin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për ballafaqimin me pandeminë, për rritje ekonomike dhe veçanërisht për çështjen aktuale për përgjigje kompetente dhe efikase të krizës energjetike.

Foto: Qeveria

“Në takim është theksuar theksua mbështetja e tërësishme e SHBA-ve për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për çështje dypalëshe mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë për shkak të faktit që ardhmëria e Maqedonisë së Veriut është në BE si temë jashtëzakonisht e rëndësishme për SHBA-të, së bashku me pjesëmarrjen e përbashkët strategjike në NATO dhe me partneritetin dypalësh mes dy vendeve që është në zhvillim të vazhdueshëm”, kanë njoftuar nga Qeveria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button