Shteti etiketon dhe diskrediton OJQ-të

Është aktualizuar këtyre ditëve të fundit çështja e rolit të mediave dhe shoqërisë civile në Maqedoni. Vetë kryeministri i vendit, Nikolla Gruevski ka kritikuar OJQ-të, mediat dhe personat, të cilët ai i ka quajtur të lustruar, që, sipas tij, duan të imponojnë tezat se vendi qeveriset në mënyrë jodemokratike.

Nga ana tjetër, dihet roli që kanë OJQ-të në funksionimin e shteteve demokratike. Por, si funksionojnë ato, me cilat probleme po ballafaqohen dhe a e luajnë rolin që duhet ta kenë në shoqëri?

“Organizatat joqeveritare gjithkund në botë kanë një rol vital në zhvillimin e një shoqërie të qëndrueshme demokratike. Gjithashtu edhe në Maqedoni, roli i tyre është i rëndësishëm, pasi ato luajnë një rol esencial në sensibilizimin e qytetarëve dhe faktorëve të ndryshëm vendimmarrës, për dukuri dhe procese të rëndësishme në shoqëri”, thekson Bardhyl Jashari nga Metamorfozis.

Ai shton se për fat të keq, kohëve fundit në Maqedoni përpjekjet dhe nismat e OJQ-ve nuk përfillen nga ana e shteti, madje ato etiketohen dhe diskreditohen në mënyra të ndryshme, kështu që pamundësohen në realizimin e mirëfilltë të rolit të tyre, e kjo shkon në dëm të demokracisë dhe sidomos në dëm të qytetarëve.

Ndërsa, Neda Korunovska, nga Reaktor thekson se OJQ-të,në forma të ndryshme, nëpërmjet të tërheqjes së vëmendjes së institucioneve vendore dhe qendrore  ndikojnë  në zgjidhjen e problemeve, me të cilat ballafaqohet qytetarët brenda një shoqërie .

“Ka përpjekje që  të imponohet ideja se OJQ-të nuk e kryejnë si duhet rolin e tyre në shoqëri dhe këto përpjekje vijnë nga anë të ndryshme. Ky është momenti i parë, dhe momenti i dytë ka të bëjë me faktin që në OJQ- janë angazhuar një numër jo i madh i qytetarëve. Synimi është që rreth tyre të afrohen sa më shumë qytetarë, që roli i tyre në shoqëri të rritet edhe më shumë, thotë Korunovska.

Albert Hani, nga Qendra për menaxhim të konflikteve ndërkaq shprehet i dëshpëruar nga zhvillimi i shoqërisë civile në Maqedoni, mospërfillja e këtij lloj aktivizimi nga strukturat qeveritare,  dhe nga ajo që ai e quan ngulfatja  e shoqërisë civile nga partitë politike.

“Partitë politike afirmojnë frikën dhe poltronizmin ,si vlera të cilat sjellin prosperitet afatshkurtër,  në vend se ta frymëzojnë popullin të jetë kritik dhe të ofrojë alternativa të reja për problemet e vjetra shoqërore.  Kështu ndodh që idealet e organizatave jo-qeveritare dhe lëvizjeve qytetare, disa i shesin për poste partiake ose qeveritare”, vlerëson Hani. 
 
Duke pasqyruar rrethanat në të cilat funksionon shoqëri civile, Hani thotë se ai edhe se sot duhet të mendoj njëqind herë, nëse ndonjë qëndrim i tij publik do ta dëshpërojë ndonjë politikan, i cili më pas nga injoranca do të hakmerret deri në brezin e tretë.

“Çfarë të them për shoqërinë civile kur organizata joqeveritare në kundërshtim me kushtetutën organizojnë peticion për referendum, për mospjesëmarrje në poste qeveritare të ish pjesëtarëve të UÇK-së, edhe pse  kushtetuta e Maqedonisë u garanton barazi të gjithë qytetarëve”, thotë ai.
 
Hani më tej pyet se ç’ mund të thotë  për iniciativat e çuditshme dhe kontradiktore, ku organizata jo-qeveritare protestojnë kundër opozitës, ose organizojnë kundër-protesta të shumta.

“ Ç’të them për iniciativat dhe protestat  e dhunshme nëpër livadhe e kalaja, të instrumentalizuara nga paritë politike. Ç’të them  për shoqërinë civile, kur ngulfaten iniciativat qytetare të cilat e mbrojnë shëndetin e popullit nga uzurpimet e parqeve dhe natyrës nga mafia urbane”,  pyet Albert  Hani. 

Lajme të ngjashme

Back to top button