Në RMV regjistrohen mesatarisht 45 raste me HIV në vit

Numri i rasteve me HIV pozitiv në RMV arriti kulmin në vitin 2015, kur kishte 51 persona të infektuar, ndërsa në vitin 2020 numri i të infektuarve me HIV u ul në 47.

Në vend, mesatarisht, në vit diagnostikohen 45 raste me HIV, ndërsa numri total i përllogaritur i personave HIV pozitiv varion nga 437 në 575 persona. Nga ana tjetër, numri i atyre që nuk janë në dijeni të statusit të tyre HIV mund të jetë nga 105 deri në 243 persona. Kështu ka bërë të ditur sot Andrej Senih, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës për Mbështetjen e Personave që jetojnë me HIV “Së bashku më të fortë”, me rastin e 1 dhjetorit, Ditës Botërore të SIDA-s, transmeton 360 shkallë.

“Ajo që na shqetëson neve si Shoqatë është se fatkeqësisht në pesë vitet e fundit nga gjithsej 225 infeksione të reja të regjistruara pothuajse gjysma ose 48 për qind janë diagnostikuar me vonesë, dhe një e pesta janë diagnostikuar në një fazë shumë të avancuar të infektimit me HIV. Deri në fund të vitit 2020, gjithsej 112 persona janë regjistruar si të vdekur. Në këto raste të vona, vitet e fundit kemi regjistruar një numër pak më të lartë të vdekjeve. Zakonisht ka një deri në dy ose tre vdekje në vit. Vitin e kaluar ka pasur më shumë, dhe kjo është rezultat i zbulimit me vonesë të infeksionit HIV. Kur flas për infeksionin e vonuar me HIV, nuk do të thotë se nuk ka shpëtim”. tha Senih, duke treguar rezultatet e analizave të kryera në bashkëpunim me ekspertë nga vendi dhe jashtë vendit, sipas metodologjisë së Qendrës Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve.

Senih theksoi se 90 për qind e personave të diagnostikuar në vitin 2020 do të marrin terapi antiretrovirale, dhe nga numri i përgjithshëm i personave që marrin këtë terapi, deri në 94 për qind e kanë shtypur plotësisht virusin në gjak, gjë që ndalon mundësinë e transmetimit të mëtejshëm të infeksion seksual.

Sipas analizës, numri i rasteve me HIV pozitiv në Maqedoni ka arritur kulmin në vitin 2015 kur janë zbuluar 51 persona të infektuar. Megjithatë, në vitin 2020, numri i personave të infektuar me HIV u ul në 47, dhe deri në 34 për qind e personave të infektuar me HIV në vitin 2020 nuk ishin në dijeni të statusit të tyre HIV.

Në konferencën për media mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili theksoi se buxheti i programit për mbrojtjen e popullatës nga infeksioni HIV do të rritet nga 90 në 130 milionë denarë për vitin e ardhshëm 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button