Nelson Mandela në gjendje të rëndë

Ish-presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, kaloi natën e dytë në spital, ku është duke u trajtuar për një infeksion në mushkëri. 

Doktorët treguan se ka pasur pak ndryshim dhe gjendja e tij vazhdon të konsiderohet e rëndë, por stabile.

94-vjeçari Mandela përjetoi një përkeqësim të beftë dhe u shtrua në një spital në kryeqytetin Pretoria në orët e para të së shtunës.

Kjo është hera e tretë gjatë 2013-s që ai shtrohet në një spital për probleme me mushkëritë.

Me mijëra mbështetës të Mandelës janë grumbulluar pranë spitalit, duke u lutur që njeriu që udhëhoqi luftën kundër diskriminimit racor, të jetë në gjendje të rikthehet edhe një herë në shëndet të plotë.
Nelson Mandela, fitues i çmimit Nobel për Paqen në vitin 1993, është presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut (1994-99).

Një simbol i luftës kundër aparteidit, Mandela vuajti 27 vite burgim gjatë regjimit të mëparshëm, për shkak të luftës së tij për të drejta të barabarta, ndaj pakicës së bardhë që drejtonte vendin.

Pavarësisht statusit të tij si një hero kombëtar në Afrikën e Jugut, përballë përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, Mandela është tërhequr nga jeta publike që prej vitit 2004. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button