Shkupi i fortë edhe në Ohër

Ka përfunduar dhe xhiroja e katërt e kampionatit të Maqedonisë në Boks, ndërsa në këtë garë është paraqitur edhe KB Shkupi, që në Ohër ishte nisur me 10 boksier, por vetëm për pesë nga ta kishte kundërshtarë. Prej këtyre garuesve, katër nga ta kanë shënuar fitore, ndërsa vetëm një është mundur. 

Boksieri Nazmi Dauti me rezultat 2:0 ka mundur Serhan Xhagerovskin nga Prilepi, pastaj Visar Jahiu ishte më i mirë se Rexhep Jasharov, të cilin e mundi me rezultat të pastër 2:0, Afrim Murati e ka mundur boksierin e KB Shëndija Boks me rezultat 2:0, Hajdin Ferati me një luftë të pastër dhe të mirë ka mundur Bardhyl Shehun nga KB Sindi i Strugës me rezultat 2:0. 

(Hajdin Ferati, duke u shpallur fitues në luftën ndaj Bardhyl Shehut)

Një ndër boksierët më të mirë të KB Shkupi, që vitin e kaluar u shpall edhe boksieri më i mirë i ri, Hajdin Ferati, është shprehur i kënaqur nga fitorja e radhës. “Kam arritur të mbajë formën, ka më shumë se një vit që nuk kam humbje, por ndodhë që shpesh herë të mos kem kundërshtarë, e kjo ndikon pastaj edhe në formë. Shpresoj që edhe në paraqitjet e radhës të vazhdojë me këtë ritëm dhe të arrijë përsëri të fitoj titullin e më të mirit në Maqedoni, ndërsa më vonë kërkojmë edhe suksese ndërkombëtare”, është shprehur Hajdin Ferati për “Portalb”

Disfatën e vetme te KB Shkupi e ka përjetuar Egzon Osmani, i cili pësoi nga strugani i JB Sindi, Valmir Reçi (0:2). Me katër fitore të shënuara, KB Shkupi ishte klubi më i suksesshëm në xhiron e katërt. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button