Faktorët që vështirësojnë martesën

Qëndrimet e ndryshme rreth harxhimit të parave, humbja e aftësisë që vjen me vite, si dhe lindja e fëmijës, janë vetëm disa nga faktorët që mund të ndikojnë në lidhje dhe t’i largojnë mes vete bashkëshortët.

1. Stresi i cili reflektohet në lidhje
Stresi i përditshëm, të cilin bashkëshortët e sjellin nga ambientet e tjera, qoftë të punës apo të familjes, shpesh reflektohet edhe në lidhje. Kështu, për shkak të ndikimeve të jashtme, shumë lehtë mund të plasë grindja rreth qepës, pse ajo nuk është grirë kështu, por ashtu. Gjërat banale përnjëherë bëhen problem, thotë psikologja amerikane, Harriet Lerner, autore e librit “Rregullat e martesës”. Nëse tanimë jeni grindur, kërkoni falje nga partneri.

2. Buxheti dhe harxhimet
Shkaku kryesor i grindjeve bashkëshortore, pas seksit, janë paratë. Në fillim të martesës është vështirë të bashkohen dy buxhete dhe të harxhohen me përgjegjësi. Më lehtë do të jetë nëse keni një qëllim të përbashkët, p.sh blerjen e banesës, apo veturës.

3. Jeta me prindërit
Raporti me prindërit e partnerit bashkëshortor paraqet një sfidë të vërtetë. Problemet më të shpeshta kanë të bëjnë me vizitat e paparalajmëruara dhe me përzierjet në edukimin dhe rritjen e fëmijëve. Më së miri është që të veni kufij të qartë, natyrisht në bashkëpunim midis bashkëshortëve. Por, këto rregulla duhet të vlejnë, si për prindërit e tij, po ashtu edhe tuajt.

4. Lindja e fëmijës së parë
Muajt e parë pas lindjes së fëmijës janë edhe të çuditshëm, edhe të vështirë. Mungesa e gjumit dhe dyshimi në çdo gjë që bëni shkaktojnë nervozë dhe grindje. Mundohuni që barrën rreth rritjes së fëmijës ta ndani me partnerin, në vend se ta merrni tërë barrën përsipër.

5. Mospajtimet rreth rritjes së fëmijëve
Rritja dhe edukimi i fëmijëve po ashtu paraqesin burim të shpeshtë të grindjeve, sidomos nëse prindërit nuk pajtohen rreth metodave të edukimit. Më së miri është që prindërit, pra bashkëshortët, të ulen dhe të bisedojnë se si duan ta rrisin dhe edukojnë fëmijën.

Lajme të ngjashme

Back to top button