Në prag të digjitalizimit, do të hapen televizion dhe radio e re me sinjal analog

Edhe një televizion kombëtar, si dhe një radio kombëtare do të paraqiten në hapësirën mediatike në vend. Vendimin e mori Këshilli për radiodifuzion, ndërsa konkursi do të shpallet së shpejti. Për një pjesë të anëtarëve të KRD-së, kontestuese është se në momente kur bëhet digjitalizimi, jepet licencë për televizion analog, njofton Alsat-M.

“E vetmja gjë që më është rezervë dhe me çka nuk pajtohem është se gjatë periudhës kur kemi edhe dy muaj për ndërprerjen e sinjalit analog dhe fillimin e atij digjital, ne vendosim të shpallim konkurs për ndarjen e televizionit me sinjale analoge”, tha Milaim Fetai, zëvendës-kryetar i KRD-së.

Anëtarët tjerë konsiderojnë se nevojitet televizion me licencë të karakterit informativ dhe jo të atij argëtues, siç planifikohet tani. Megjithatë, shumica  votoi propozimin që të ndahet licencë për televizion kombëtar i karakterit argëtues, edhe atë për nëntë vjet.

Anëtarët e Këshillit u pajtuan se nevojitet rritje e numrit të medieve, por megjithatë konsiderojnë se meqë ekzistojnë tre radiostacione kombëtare në gjuhën maqedonase, nevojitet edhe një radio në gjuhën shqipe.

“Në këtë rast, po ashtu do të jem kundër shpalljes së këtij konkursi ose së paku i përmbajtur, për shkak të rezervës që e kam rreth nevojës për shpalljen e konkursit për ndarjen e lejes për radio në nivel shtetëror në gjuhën shqipe”, deklaroi Milaim Fetai, zëvendës-kryetar i KRD-së.

“Analizat e tregut dhe krahasimi i shifrave nga të ardhurat e tre radiove ekzistuese kombëtare nuk janë për t’u lavdëruar dhe vetëm nga ky aspekt, shpallja e konkursit për radiostacion të ri shtetëror do të ndikojë në mënyrë problematike në tregun edhe ashtu të dobët”, u shpreh Stole Naumov, anëtar i KRD-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button