Korsia për biçikleta që e hoqi komuna është shndërruar në parking, këshilltarët e opozitës e vlerësojnë të gabuar vendimin

Këshilltarët komunal të Tetovës nga tre subjekte politike dhe nga lista e pavarur nuk janë dakord me vendimin e kryetarit të Komunës Bilalll Kasami për largimin e shtigjeve të biçikletave, njëherit të vetmet të këtij lloji në qytet. Sot vizituam bulevardin që u hoq korisa për biçikleta dhe sipas dhe fotove që mund t’i shihni, kjo korsi është shndërruar në parking për vetura. Nga Komuna paralajmërojnë regjim të ri të komunikacionit, shkruan Portalb.mk.

Luksi i vetëm i tetovarëve në qytetin me kaos urbanistik konsideroheshin shtigjet e biçikletave të cilat ishin mjeti i vetëm alternativ i transportit ekologjik përgjatë bulevardit të Ilindenit, por kjo nuk mund të thuhet më sepse këto korsi u larguan. Në vend të shtigjeve të biçikletave tani mund të shihen vetëm vetura të parkuara. Në këtë kaos trafiku, çiklistët të paktën ndiheshin të sigurt, por jo më.

“Nuk është mirë që u larguan, ishte e vetmja rrugë në të cilën mundeshim të lëvizim me biçikletë dhe ku ndiheshim të sigurt. Edhe pse ky shteg kishte pengesat e veta, përsëri ishte një zgjidhje më e mirë se të ecësh në mes të rrugës me biçikletë.” tha një qytetar përgjatë bulevardit të Ilindenit.

This slideshow requires JavaScript.

Kryetari i Komunës tha se kanë vendim nga ana e gjykatës që kërkon shtegu i biçikletave të eliminohet, të largohet dhe rrugët të kthehen në gjendjen paraprake, për çka ka edhe padi kundër komunës dhe ishkryetares.

Por nga Gjykata Themelore e Tetovës, për Portalb.mk thanë se ka inicim të procedures për kundravajtje dhe procedura është në vazhdim, pra nuk ka vendim.

Për këtë rast, Portalb.mk bisedoi me disa nga këshilltarët komunal nga subjekte të ndryshme, të cilët thanë se nuk janë dakord me këtë vendim, sepse qyteti ka probleme më serioze dhe më të mëdha.

Bartësi i listës së këshilltarëve nga BDI, Blerim Osmani tha se këtë do ta vlerësojnë organet nëse ka bazë apo nuk ka, duke u bazuar në deklaratën e Kasamit se ka vendim gjyqësor.

Blerim Osmani
Blerim Osmani

“Nëse pyetem personalisht unë, më duket pak veprim i ngutshëm, fillimisht duhet të shqyrtohen të gjithë dokumentet, të shihen edhe vetë vendimet e komunës që janë marrë mbi çfarë baza, pastaj të veprohet. Besoj se kemi probleme më të mëdha  këto ditë, shohim është krijuar tollovi në qytet shkaku i parkingjeve. Kemi probleme me mbeturinat që shpresoj se fokusi duhet të jetë më tepër në këto probleme. Problemi me mbeturinat e dimë ne se është i vazhdueshëm por tash nëse nuk funksionojnë organet kompetente siç janë ndërmarrjet publike, ajo do të na bjerr pasoja më të mëdha.” tha Blerim Osmani.

Elmedina Abdullai
Elmedina Abdullai

Elmedina Abdullai, këshilltare nga “Më mirë për Tetovën” tha se largimi i shtigjeve të biçikletave edhe pse u deklarua se është për ta respektuar ligjin ishte një vendim jo shumë i mirëpritur nga to për shkak se nëse duam një qytet evropian nuk duhet assesi të hiqen shtigjet e biçikletave.

“Përkundrazi duhet të gjendet mënyra se si ato të jenë më funksional dhe shpresoj se Komuna e Tetovës së shpejti do të del me një propozim tjetër, ku dhe si mund të zëvendësohen. Kërkojmë që të respektohet ligji dhe të lirohet rruga, të hiqen edhe veturat që janë të parkuara, nëse më vetëm e respektojmë ligjin dhe e bëjmë atë veprim për hirë të ligjit, atëherë duhet të lirohet rruga dhe të hiqen veturat që nuk kanë të drejtë të parkohen aty. Nuk zgjidhet një problem duke shkaktuar më tepër probleme në vazhdim.” tha Elmedina Abdullai.

Ilija Dimitrievski
Ilija Dimitrievski

Këshilltari nga LSDM, Ilija Dimitrievski tha se pavarësisht vendimit të gjykatës prioriteti i kryetarit nuk duhet të jetë në fillim të mandatit në heqjen e korsitë e biçikletave.

“Qyteti ka probleme më serioze që kërkojnë fokus të administratës komunale dhe sidomos në pjesën e sotme kur e dimë se Tetova është një nga qytetet më të ndotura në Ballkan, këto korsi biçikletash të paktën motivojnë njerëzit që të zgjedhin një mënyrë alternative transporti.” tha Ilija Dimitrievski.

 

Visar Palloshi
Visar Palloshi

Visar Palloshi, këshilltar nga PDSH tha se qëndrimi i tij  personal dhe qëndrimi i partisë është se me këtë do të krijohet një kaos ende më i madh.

“Nuk u bë njëherë fillimisht projekti, të mbarojnë gjithë shtigjet në gjithë qytetin apo të bëhet një projekt i duhur edhe me revizion të duhur. Por u mënjanuan shtigjet, ku atë kosto do e paguajnë qytetarët, për vendosjen, mënjanimin dhe pastaj përsëri për vendosjen siç e ceku edhe kryetari i komunës që përsëri do të vendosen, domethënë e njëjta punë bëhet tre herë. Pika tjetër është rreziku që u kanoset qytetarëve që do të lëvizin, tani më nuk kanë pjesën e tyre për të qarkulluar me biçikleta apo me mjete tjera transportuese në atë pjesë.” tha Visar Palloshi.

Në këtë mendim nuk është kryetari i këshillit të komunës, Besar Durmishi nga Lëvizja Besa.

Besar Durmishi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Besar Durmishi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Besar Durmishi i cili dje u zgjodh si kryetar i këshillit tha se shtigjet e biçikletave ishin hap i përshpejtuar u udhëheqsisë së kaluar.

“Neve duhet pikë së pari që të gjejmë hapësira parkimi që duhet të bëhen parkingje me kate, duhet të zgjedhim këtë problem pastaj të kalojmë dhe të bëjmë korsinë e biçikletave. Informatat të cilat i morrëm nga gjyqi është se është në procedurë përfundimtare dhe në qoftë se ne nuk ndërmarrim masa do kishte implikime financiare për Komunën e Tetovës.” tha Besar Durmishi.

Për atë se në qoftë se ishkryetarja e fitonte gjyqin Durmishi tha se “ishte proces gjyqësor, por dihej se ishte e humbur”.

Nga Komuna e Tetovës thanë se do të ketë regjim të ri të komunikacionit.

“Po, do ketë regjim te ri te komunikacionit ne vendet ku shihet se do ketë shkelje te rregullave te komunikacionit. Jemi në një kohë ku e skanojmë situatën dhe në bazë të asaj do ndërmerren hapat e mëtutjeshme.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, kur filloi ndërtimi i shtigjeve të biçikletave para rreth shtatë muajsh, pati kritika të shumta nga qytetarët se të njëjtat do të vështirësonin më shumë komunikacionin në Tetovë. Bëhet fjalë për gjithsej 5.5 kilometër shteg për biçikleta në rrugën e “Ilindenit”, i njëjti është i gjerë 1 metër kurse ka kushtuar 3 milion denarë apo rreth 50.000 euro. Çmimi i realizimit të këtij projekti nga aktivistët dhe qytetarët u konsiderua shumë i lartë. Madje në rrjetet sociale qarkulluan fotografi të ndryshme, me anë të së cilave u ironizua me shtigjet e biçikletave në Tetovë dhe mënyrën se si janë realizuar ata. Fotografitë u publikuan edhe në disa media të Shqipërisë dhe në disa faqe ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button