Shkëndija gati për ta mundur Vardarin

Sot zhvillohen ndeshjet e para gjysmëfinale te Kupës se Maqedonisë. Në Tetovë do të përballen dy skuadrat që mbajnë të njëjtat ngjyra në fanellat e tyre Shkëndija dhe Vardari. Pas problemeve që të dy ekipet kishin para kësaj ndeshje, si duket vetëm pak para fillimit të kësaj ndeshje, gjithçka po stabilizohet. Te Shkëndija janë kthyer sulmuesi dhe golashënuesi më i mirë i kuqezinjve, Muzafer Ejupi dhe shtylla e mbrojtjes, Sedat Berisha, ndërsa Vardari pas largimit të trajnerit Nikolla Ilievski – Xhixhi, ka angazhuar Bllagoja Milevskin i cili edhe më parë ishte trajner i skuadrës nga kryeqendra jonë.

Për këtë ndeshje pritet që tifo grupi “Ballistët” të jenë ndihma më e madhe e Shkëndijës. Trajneri i Shkëndijës Artim Shaqiri ka bërë apel te tifozët që të jenë në numër sa më të madh pasi ata janë lojtari i dymbëdhjetë i klubit, ndërsa ka potencuar se mungesë e madhe do të jetë mos loja e kapitenin Muhamet Huseini si dhe sulmuesit strugan Artim Pollozhani. “Ne do të mundohemi që të bëjmë të pamundurën që të fitojmë këtë ndeshje, fundja kjo është shansi i vetëm që të dalim në garat evropiane, andaj do të jetë në ndihmë për ne edhe përkrahja e publikut”, ka thënë Shaqiri për “Portalb”

Në ndeshjen Shkëndija – Vardari drejtësinë do ta ndajnë Marjan Markovski, Kiril Negrievski dhe Simeon Gordanovski, gjyqtar i katërt është Faton Mustafi.

Ndeshjen Sileksi – Teteksi drejtësinë do ta ndajnë Stojançe Stojanov me ndihmësit Karakolev dhe Ivanov. Duelet e para gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë luhen sot me fillim në ora 16.00. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button