Tetovë, këto janë pikat për të cilat Kasami u zotua se do i realizoj brenda 100 ditëve (Video)

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot nëpërmjet një konference për shtyp prezantoi planin e punës për 100 ditët e qeverisjes me Komunën e Tetovës, mes të cilave janë detektimi dhe rishikimi i kontratave të kundërligjshme, parkingu pa pagesë, transmetimi i seancave të këshillit drejtpërdrejtë dhe të tjera, shkruan Portalb.mk.

Kasami para gazetarëve tha se zhvillimi i shëndosh dhe i suksesshëm i një komune bazohet në mënyrën e qeverisjes, në ndjenjën e përgjegjësisë dhe në përkushtimin e përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve.

“Pasi kemi konstatuar një sërë problemesh që cenojnë frymëmarrjen dhe funksionimin real të komunës së Tetovës, sot do t’i publikojmë disa nga prioritet e politikës menaxhuese brenda 100 ditëshit të parë.” tha Bilall Kasami.

Këto janë pikat të cilat Kasami i ka vendosur si prioritete për t’i realizuar në 100 ditët e para.

  • Detektimi dhe rishikimi i të gjitha kontratave të kundërligjshme me pasoja financiare për buxhetin e komunës, ndërmarrjeve komunale, shkollave dhe çerdheve.
  • Transmetimi Direkt i seancave të Këshillit komunal.
  • Aksion mbar qytetarë për largimin e të gjitha mbeturinave të hedhura nëpër rrugë dhe hapësira publike.
  • Riparimi i mundshëm i kontejnerëve, vendosja e kontejnerëve shtesë , rregullimi i vendndodhjes së kontejnerëve dhe rregullimi i qasjeve rrugore duke larguar automjetet në afërsi të tyre.
  • Mbyllja e të gjitha punimeve të hapura të infrastrukturës rrugore në komunën e Tetovës.
  • Largimi i shtyllave (sinjalizuese) të korsive për biçikleta.
  • Parkingu i qytetit përkohësisht pa pagesë.
  • Identifikimi i borxhit të komunës, ndërmarrjeve komunale, shkollave dhe çerdheve, si dhe publikimi i të njëjtit në ueb-faqen e komunës dhe në hapësirat publike.
  • Rishikimi i planit gjeneral urbanistik dhe atyre detale urbanistike.
  • Përpilimi i një strategjie për zgjidhje afatgjate të problemit me qentë endacak.
  • Mbartja e mbeturinave në kohë, pastrimi, larja e bulevardeve, rrugëve dhe trotuareve gjatë natës.
  • Orar fleksibil i fillimit të punës nga ora 7.30 deri 15.30 dhe nga ora 8.30 deri 16:30
  • Organizim i sektorëve për procedimin e lëndëve ndër vite
  • Rishikimi i përshkrimit të vendeve të punës
  • Zero tolerancë për të punësuarit fiktiv dhe keqpërdoruesit e mjeteve publike.
  • Rrethimi i burimit të ujit të pijshëm në hapësirat e Leshnicë (Lajthizës).
  • Sanksione-gjoba financiare (përgjegjësi ligjore) për të gjithë ndotësit e ambientit
  • Përcaktimi i dy lokacioneve – pikave grumbulluese të mbeturinave inerte, mobiljeve dhe orendive të ndryshme.
  • Lehtësimi i komunikacionit urban
  • Ndalimi i qarkullimit komionëve edhe mjeteve transportuese të rënda gjatë ditës në qytet
  • Largimi i veturave dhe mjeteve tjera jo funksionale të parkuara me vite në rrugë
  • Trotuare dhe hapësira publike të lira.
  • Pronarëve të dyqaneve nuk do ju lejohet rezervimi i parkingjeve para dyqaneve të tyre
  • Rregullimi dhe kontrollimi i komunikacionit urban.
  • Përforcimi i kapaciteteve të komisionit për legalizimin e ndërtimeve pa leje
  • Detektimi i lejeve të dyshimta dhe ndërprerja e ndërtimeve pa leje.
  • Riorganizimi dhe përforcimi i kapaciteteve të qendrës për ZHEL.
  • Qeverisje përmes qytetarëve – komunikim të drejtpërdrejtë dhe grumbullim ideshë në kohë reale nga qytetarët.
  • Raportim tremujor i kryetarit të komunës rreth kondicionit buxhetor të komunës së Tetovës.

I pyetur nga Portalb.mk se a e ka marrë raportin për punët/ndërtimet që zhvillohen në Komunën e Tetovës dhe cilat janë gjetjet, Kasami tha se të njëjtin e kanë marrë dhe se ka shkelje të rrënda edhe të bazës ligjore.

“Për të njëjtat komisioni është duke përpunuar raportin dhe për këtë në ditët në vijim do të njoftoheni detajisht për të gjitha gjetjet që janë në bazë të analizës që është bërë edhe në teren por edhe të dokumentacionit nga komisioni. Shkeljet janë ligjore. sipas informatave që kemi bëhet fjalë edhe për shkelje të afateve ligjore të Kodit Zgjedhor, që nënkupton mosnisjen e punimeve brenda afatit ligjor, ka edhe shkelje të procedurës së tenderimit.” tha Bilall Kasami.

Ndryshe, në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën me 31 tetor, votuan 39,371 votues nga numri i përgjithshëm prej 85,577. Dallimi i i votave midis dy kandidatëve ishte 5,049 vota (12,82%) nga ku Bilall Kasami, nga Lëvizja Besa doli fitues me 21,591 vota (54,84%) nga ku mundi Teuta Arifin nga Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila mori 16,542 vota (42,02%).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button