Shkodër, tre gjimnazistë shkodranë në pranga, vodhën e dogjën regjistrat

Ka nisur si një mënyrë për t’u shpëtuar mungesave dhe notave jokaluese, por ka përfunduar si një vepër penale. Tre adoleshentë, nxënës të shkollës së mesme në Velipojë, tashmë janë nën akuzë për vjedhje dhe janë ndaluar nga forcat e rendit.

Zyrtarisht bëhet e ditur se E.P. 16 vjeç, J.D. 17 vjeç dhe E.S. 16 vjeç, që të tre banues në fshatin Velipojë-Shkodër, janë të akuzuar si autorë të vjedhjes.

Tre adoleshentë, nxënës të vitit të tretë, kanë menduar ta zgjidhin problemin e tyre duke dëmtuar regjistrat e shkollës, por vetëm sa e kanë rënduar situatën në të cilën ndodheshin, pasi ata janë identifikuar si autorë të ngjarjes dhe janë arrestuar. 

Të dielën, në orët e vona duke u gdhirë e hëna, tre adoleshentët kanë organizuar dhe asgjësimin e regjistrave në shkollën e mesme “Nikollë Zogarjani” në Velipojë Qendër. Duke qenë banorë të zonës dhe njohës të mirë të godinës së shkollës, ata kanë hyrë nga pjesa e pasme, duke thyer një dritare e duke zhvendosur edhe një pjesë të hekurave me mjete të forta, kanë hyrë në sekretari ku ndodheshin regjistrat dhe kanë marrë shtatë prej tyre. Me shpejtësi janë munduar të dalin pa u vënë re.

Brenda pak minutash ata kanë vendosur të bëjnë dhe asgjësimin e regjistrave. Tre nxënësit e shkollës së mesme, në afërsi të lokalit që ishte pronë e babait të njërit prej autorëve kanë djegur regjistrat. Në cilësinë e provës materiale u bllokuan disa pjesë të regjistrave të vjedhur e djegur. Ata akuzohen për “Vjedhje në bashkëpunim”. 

Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës, mësohet se nuk ka qenë e vështirë që të identifikohen autorët e ngjarjes, pasi në vendngjarje kishte mjaft gjurmë.

Një element që ka identifikuar autorët është fakti se pikërisht këta tre nxënës kishin pasur probleme me frekuentimin e shkollës gjatë gjithë vitit.

Ndërkohë, sipas drejtuesve të shkollës, mësohet se dëmtimi i regjistrave nuk do ta pengojë procesin mësimor, pasi çdo mësues ka blloqet e notave për çdo lëndë dhe klasë. Fletoret-regjistër do të shërbejnë si regjistër dhe shumë shpejt do të bëhet kalimi i notave nga fletoret në regjistra. 

Të martën, Drejtoria Arsimore e Shkodrës ka dërguar regjistra të rinj në shkollën e mesme të Velipojës dhe tashmë ka nisur puna për të bërë hedhjen e të dhënave nga fletoret e mësuesve në regjistra.

Drejtuesit e shkollës së mesme pohojnë se asgjësimi i regjistrave nuk do të sjellë probleme për vlerësimin e nxënësve, edhe për faktin se të gjitha testet apo detyrat e kontrollit të bëra nga mësuesit në lëndë të ndryshme janë të ruajtura në Drejtori dhe tashmë mësuesit janë duke bërë edhe një herë kalimin e vlerësimeve në regjistër nga fletoret. Përveç kësaj, fletoret- regjistër që ka çdo mësues e zgjidhin shumë mirë situatën./BalkanWeb/

Lajme të ngjashme

Back to top button