Bllokohet rruga Mavrovë-Dibër pa paralajmërim në ditë zgjedhjesh, reagojnë nga ASh
Rruga Mavrovë-Dibër është bllokuar. Kjo ndodh sot në ditë zgjedhjesh lokale në Dibër, shkruan TV 21.
Kryerësit e punimeve në rrugë thanë se bllokimi do të zgjasë deri në orën 16, por në njoftimin e mesditës të Lidhjes Automote të Maqedonisë (LAMM) për gjendjen e rrugëve nuk shkruhet se kjo rrugë është e bllokuar, por vetëm bëjnë apel që në aksin Mavrovë-Dibër të vozitet me kujdes duke respektuar shenjat rrugore.
Në autokolonën në të cilën ndodhej edhe ekipi i TV21 kishte shumë votues dibranë që jetojnë në qytete të tjera por ende votojnë në Dibër.
Arsyetimi për të mos kaluar, siç u tha, është se në rrugë ka makineri 4 metra të gjerë, që e pamundëson kalimin e makinave. Pas disa debatesh, policia lejoi të kalojnë qytetarët që në letërnjoftime ende si vendbanim e kishin Dibrën. Edhe ekipi i TV21 po ashtu u lejua të kalojë, megjithatë gjatë rrugës nuk hasën asnjë makineri që të ketë zënë gjithë rrugën sa për ta bërë të pakalueshme.
Për këtë rast reaguan nga Aleanca për Shqiptarët (ASh) të cilët thanë se në ditën e votimit kur me Kushtetë ndalohet çdo veprimtari që pengon qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e votës, pushteti aktual ka izoluar Dibrën dhe pengon dibranët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike.
“Në ditën e dielë, ditë votimi, që nga orët e paraditës realizohen punimet në asfaltimin e rrugës Mavrovë-Dibër dhe për pasojë kjo rrugë mbahet e bllokuar. Kjo situatë u ka pamundësuar shumë dibranëve që janë me punë të përkohshme në qytetet e tjera të vijnë dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Kërkojmë nga autoritetet që urgjentisht të zhbllokojnë rrugën dhe të kërkohet përgjegjësi për ata që kanë dhënë urdhër për një skenar të këtillë.” thanë nga ASh.
Ndryshe, Dibra është komuna e vetme në vend që voton gjatë ditës së sotme, pasi në rrethin e parë asnjëri nga kandiatët nuk e siguroi censusin e nevojshëm për fitore, ndërsa më 31 tetor u përsërit votimi në një vendvotim.
LEXO: Rrethi i dytë i zgjedhjeve në Dibër, pjesëmarrja në votim deri ora 13 është 17,19%