Kasami pret nga drejtorët e ri të ndërmarrjeve publike t’i japin raport për vazhdimin e punëve(Video)

Kryetarin e ri të Tetovës, krahas sfidave dhe çështjeve tjera komunale, e pret edhe një sfidë shumë e madhe për sa u përket ndërmarrjeve publike komunale dhe funksionimit të tyre, ku secila prej tyre është sfidë në vete dhe me probleme të ndryshme, të cilën edhe vet ai e ka pohuar. Në dy prej tre ndërmarrjeve janë të emërtuar udhëheqës të rinj, shkruan Portalb.mk.

Kasami tha se vazhdojnë të ballafaqohen me një situatë vërtetë të rëndë në të cilën ka funksionuar në të kaluarën komuna e Tetovës, administrata dhe atë se si ata mund të kryejnë shërbimet ndaj qytetarëve.

NP “Parkingu i Qytetit”, është ndërruar drejtori

Te NP “Parkingu i Qytetit” është ndërruar drejtori, në krye të kësaj ndërmarrje është si ushtrues detyre është emërtuar Igor Dodevski, ndërkaq deri më tani me këtë ndërmarrje ka udhëhequr Sadat Alili.

Kasami me ardhjen në krye të Komunës ka kërkuar nga drejtori që të përgatit një raport se si është gjendja e kësaj ndërmarrjeje që më pas të vendoset si do të vazhdojë puna me të. Tani për tani, qytetarët nuk paguajnë për parking, deri sa të merret vendim.

“Është zgjedhur drejtori i parkingut, i kam dhënë urdhër që të më përgatis një raport si është gjendja me parkingjet që në bazë të atij raporti të vendoset më tutje.” tha Bilall Kasami.

Ndërkaq, kjo ndërmarrje edhe pse gjeneron të hyra nga pagesat e qytetarëve, vazhdimisht ka punuar në humbje.

NP “Tetova Transport”, juridikisht e themeluar, realisht nuk ka të punësuar

Transporti publik i Tetovës, që nga lëshimi në funksion i saj vazhdimisht po përballet me sfida të ndryshme

Kasami tha se transporti publik është një nga shkeljet eklatante të menaxhmentit të kaluar. Për momentin me këtë ndërmarrje vazhdon të udhëheq Darko Spirovski.

“Ndërmarrja e transportit publik juridikisht është e themeluar, realisht nuk ka asnjë të punësuar dhe gjitha veprimet bëhen në kundërshtim me ligjet edhe aty pres që të më japë raport drejtori i cili nuk e din në çfarë pozite është sepse nuk është i punësuar atje, është i punësuar në komunë. Gjithë të punësuarit janë në komunë dhe funksionojnë në kuadër të ndërmarrjes, por nuk dua të jap më shumë detaje sepse pres një raport të detajuar për të cilin do të informoj mediat.” tha Kasami.

Ndërkaq, edhe vetë drejtori i kësaj ndërmarrjeje e ka konfirmuar për Portalb.mk se kanë shumë sfida përpara sepse janë ndërmarrje e re, për momentin në Tetovë funksionon vetëm linja numër 1 e autobusëve.

NPK “Tetova” me ushtrues detyre të ri

Menaxhimi me mbeturina dhe çështja e ujit të pijshëm janë një nga problemet më të mëdha me të cilat Tetova bashkëjeton tani e ca kohë. Edhe në këtë ndërmarrje është ndërruar drejtori, për momentin në krye të kësaj ndërmarrjeje si ushtrues detyre është Lulzim Shaqiri, ndërkaq nuk është më në krye të NPK-së  Ajetali Dervishi.

Kasami vizitën e parë si kryetar i Tetovës e realizoi po në këtë ndërmarrje ku pati takim me menaxhmetin e kësaj të fundit, për gjendjen në të cilën ndodhet kjo ndërmarrje.

“U dakorduam me drejtorin që të përgatitet një plan aksional që çështja e menaxhimit me mbeturina të zgjidhet sa më shpejtë. Diskutuam rreth problemeve në të cilat gjendet ndërmarrja, mënyrën sesi të dalim nga kjo situatë për të ju siguruar qytetarëve një qytet të pastër pa mbeturina dhe me ujë të pijshëm.” tha Kasami.

Ndërkaq, Tetova vazhdon të ballafaqohet me mbeturina gjithandej si dhe për shumë lagje, mungesa e ujit vazhdon të jetë prezente.

Sfida më e madhe e Komunës së Tetovës është borxhi i komunës, i cili jozyrarisht është mbi 20 milion euro. I pyetur nga Portalb.mk për atë se saktësisht është borxhi i komunës, Kasami sot tha se “do kemi një informatë të detajuar”. Ndërkaq, për shumë vendime të ndërmarrjeve publike nevojitet të formohet këshilli, i cili ende nuk është bërë. Kasami sot tha se çështja e këshillit është zgjidhur, por nga çështja e zhvillimeve të fundit që ndodhën në nivel qendror e kanë prolonguar takimin për të hënën. Ai shtoi se kur do të mbahet mbledhja do ta kuptojmë edhe shumicën, apo si do të funksionojë këshilli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button