Në Labënishtë do të ngrihet flamuri shqiptar, por do të respektohet procedura

Është bërë gjithçka gati që në fshatin Labënishtë të Strugës, të ngritet një flamur gjigant shqiptar, i ngjashëm me flamujt shtetëror, të cilët janë vendosur në pothuajse të gjitha qytetet e vendit. Megjithatë  flamuri kombëtar ende nuk është vendosur dhe nuk dihet, kur dhe nëse do të ngritet së shpejti.

Sipas informacioneve që siguroi Portalb, përgatitjet  për ngritjen e tij janë bërë që para zgjedhjeve vendore, nga aktivistë  të subjektit politik shqiptar nga ky vendbanim , por tani për tani nuk dihet se kur flamuri do të vendoset në vendin që është përgatitur për të.

Xhabir Haxhi Qazimi, një qytetar nga Labënishti deklaroi se vendi për flamurin është gati, porse nuk dinë me saktësi se kur mund të vendoset ai aty.

“Përgatitja e vendit ka nisur nga aktivistë partiakë, të një subjekti politik, që para zgjedhjeve dhe tanimë është gjithçka gati . Megjithatë, me sa di unë , ai do të vendoset aty kur të jepet pëlqimi nga strukturat udhëheqëse në nivel Komunal. Pra, do të respektohet procedura për ndërmarrjen e këtij veprimi”, thekson Haxhi Qazimi.

 Përndryshe, dihet që Labënishti është një nga vendbanimete  Komunës së Strugës, i cili ka një popullsi të përzier etnike.  Një pjesë shumë e madhe e banorëve të këtij vendbanimi, ka deklaruar përkatësinë etnike shqiptare, vetëm atëherë kur u është dhënë mundësia për ta bërë këtë sipas vullnetit të tyre,  pas vitit 1990.

Paraprakisht, përkatësinë etnike shqiptare në Labunishtë e deklaronin , edhe përkundër presioneve të shumta, një  numër i kufizuar qytetarësh të këtij vendbanimi.

Në zgjedhjet, në kohën kur ky vendbanim ishte Komunë (1997),  kandidati shqiptar për kryetar Komune, nga radhët e PPD-së, u zgjodh me shumicë votash kryetar, në një komunë  me gjithsej 9600 banorë,  pjesë të së cilës ishin banorët edhe të  fshatit Tashmoronisht, i banuar ekskluzivisht me maqedonas dhe Podgorcë, me përbërje të përzier etnike.

Struktura të ndryshme edhe sot e kësaj dite e problematizojnë deklarimin e pjesës dërmuese  të banorëve të këtij vendbanimi për shqiptarë, ndërsa në zgjedhjet e fundit vendore, kandidati shqiptar për kryetar  të Komunës së Strugës,  në këtë vendbanim tuboi 2000 vota më shumë se , kundërkandidati i tij maqedonas./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button