ODIHR për raundin e dytë të zgjedhjeve në RMV: retorikë negative dhe akuza për presion ndaj votuesve

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut ishte në frymë konkurruese, administrata zgjedhore bëri përpjekje për të adresuar disa mangësi procedurale të raundit të parë. Megjithatë, retorika negative dhe akuzat për presion mbi votuesit dhe kandidatët vazhduan të kenë ndikim negativ në zgjedhje, sipas deklaratës së sotme të vëzhguesve ndërkombëtarë nga Zyra e OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut (ODIHR), përcjell Portalb.mk.

Për sa i përket parametrave teknikë, situata ka qenë më e mirë se në raundin e parë, por përsëri kishte mangësi. Vëmendje e veçantë i kushtohet “trajtimit të papërshtatshëm të ankesave”, me çka disa personave u është hequr e drejta e votës.

ODIHR thekson se edhe pse nga kandidatët në rrethin e dytë janë kërkuar raporte financiare, ata nuk u publikuan para votimit.

“Për këtë arsye, si dhe për shkak të informacioneve të pamjaftueshëm të publikuara për llogaridhënien në lidhje me financimin e fushatës në raundin e parë, transparenca ka rënë”, thuhet në deklaratë.

Misioni vëzhgues tha se radiodifuzerët e monitoruar prej tij siguruan informacion të mjaftueshëm të votuesve për kandidatët, kurse lajmet në përgjithësi ishin neutrale. Megjithatë, partitë më të mëdha parlamentare kishin një avantazh sistematik ndaj shpërndarjes së burimeve publike për fushatën dhe raportimin dhe reklamimin në media, duke i lënë kandidatët e pavarur dhe kandidatët nga partitë më të vogla në një pozitë të palakmueshme.

“Mund të bëhet më shumë që zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut të jenë më gjithëpërfshirëse, për kandidatët e pavarur si dhe për ata që përfaqësojnë partitë më të vogla”, tha Tana de Zulueta, shefe e misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve të ODIHR.

“Me përmirësimin i kuadrit zgjedhor mund të arrihet ekuilibër me atë që do të përmirësohen pabarazitë sistematike në mundësitë e fushatës, si dhe të fokusohet vëmendja në mënyrat për të rritur pjesëmarrjen e grave në jetën politike”, shtoi ajo.

Misioni i ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve  në Maqedoninë e Veriut filloi punën më 7 shtator, me një ekip prej 16 ekspertësh me seli në Shkup. Në raundin e dytë i misionit ishin përfshirë 23 vëzhgues nga 13 vende.

Për rreth dy muaj do të publikohet raporti përfundimtar me rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button