ISHP: 243 meshkuj në RMV vitin kanë vdekur vjet nga kanceri i prostatës, më i riu ishte 45 vjeç
Dyqind e katërdhjetë e tre persona kanë vdekur vitin e kaluar nga kanceri i prostatës në vend, prej tyre më i riu ka qenë 45 vjeç, thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), për nder të Nëntorit – Muaji Botëror i shëndetit të burrave, shkruan Portalb.mk.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, nga ata 243 persona, 142 kanë qenë të moshës mbi 75 vjeç, 75 të moshës 65-74 vjeç, 24 të moshës 55-64 vjeç dhe 2 të moshës 45-54 vjeç.
Kanceri i prostatës është sëmundje malinje. Prostata është një gjëndër e vendosur poshtë fshikëzës dhe përpara rektumit. Funksioni i kësaj gjëndre është të prodhojë lëng që ushqen dhe e transmeton lëngun seminal. Kanceri i prostatës ndodh kur qelizat që përbëjnë murin e saj fillojnë të rriten në mënyrë jonormale.
Ka një sërë faktorësh rreziku për zhvillimin e kancerit të prostatës:
-Mosha (kjo gjendje është e rrallë tek meshkujt nën 40 vjeç, kështu që me rritjen e moshës rritet edhe rreziku)
-Përkatësia etnike (më e shpeshtë është tek meshkujt me origjinë nga Afrika)
-Historia familjare (shumë shpesh ka një histori familjare pozitive)
-Mutacionet e gjeneve (mutacionet e gjeneve BRCA1 dhe BRCA2, të cilat gjithashtu ndikojnë në zhvillimin e kancerit të gjirit dhe vezoreve, mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të prostatës gjithashtu)
-Pirja e duhanit dhe mënyra e ushqimit
Sëmundjet inflamatore të prostatës
-Sëmundjet e transmetueshme seksualisht
Shenjat dhe simptomat e kancerit të prostatës
Ka disa shenja të zakonshme të sëmundjes malinje të prostatës:
-Gjak në urinë
-Probleme me urinimin, rrjedhje e dobët dhe me ndërprerje, me urinim të shpeshtë natën
-Disfunksioni erektil
-Dhimbje
-Nxitje të pakontrolluara për të urinuar
“Zbulimi i hershëm i kancerit të prostatës është shumë i rëndësishëm në parandalimin e kësaj sëmundjeje. Nëse jeni mbi 40 vjeç, keni pasur ndonjë anëtar të familjes që ka pasur kancer të prostatës ose e ndjeni ndonjë nga simptomat, konsultohuni menjëherë me mjekun tuaj të përgjithshëm. Ai do t’ju drejtojë më tej në ekzaminimet dhe kontrollet e nevojshme që duhet t’i bëni. Zbulimi i hershëm i sëmundjes, nëse është i pranishëm, jep mundësi për trajtim përfundimtar të saj”, apeloi ISHP.