Bexheti: Mbrenda disa muajve realizojmë plotësisht projektin e ujsjellësit

Kryetari aktual dhe kandidati për kryetar i PDSH-së për komunën e Tetovës,Prof.Dr. Sadi Bexheti, të mërkurën në tubimin të mbajtur në Poroj, ka theksuar se përgjatë katër viteve të qeverisjes projekti për Tetovën faqebardhë është rrënjosur në punët që kemi bërë bashkërisht me qytetarët.

“Beteja jonë ka qenë betejë e qytetarëve me qeverinë e përmendoreve të kota dhe integrimeve të dështuara. Për katër vjet, me përkushtim maksimal ne kemi hapur rrugën e zhvillimit për Tetovën pa ndihmën e qeverisë”, tha Bexheti.

Ne bashkërisht tashmë e kemi fituar këtë betejë,tha ai, sepse Tetova jonë po ndryshon dhe po zhvillohet me përkrahjen edhe të shumë miqve ndërkombëtar. Sipas tij, asnjë pengesë më nuk mund ta ndalë hovin e zhvillimit të Tetovës, sepse askush nuk mund ta ndalë vullnetin e qytetarëve për ndryshim.

“Këtë vullnet ne e shohim për çdo ditë në takimet që kemi me ju qytetarë të nderuar, me përkrahjen që i keni dhënë angazhimit tonë përgjatë katër viteve dhe me  mbështetjen që ia jepni platformës dhe programit që bashkërisht do ta realizojmë në katër vitet e ardhshme” theksoi Bexheti.

Ai tha se tashmë është përmbyllur projektet më kapitale për Tetovën. Sipas tij, brenda disa muajve do të përfundojë projekti i ujësjellësit dhe e gjithë Tetova përfundimisht do të ketë 24 orë ujë të pijshëm. Bexheti ka shpaluar investimet për vendbanimet, Xhermë, Drenovec, Poroj dhe Xhepçisht.

“Angazhimi jonë për Tetovën do të vazhdojë me projekte tjera të rëndësishme për gjithë qytetarët. Sikurse deri më tani, ne do të vazhdojmë të përkujdesemi për çdo pjesë të qytetit.  Konkretisht në këtë pjesë të qytetit do ta ndërtojmë urën në Poroj dhe ky projekt tashmë është gati, do ta vazhdojmë ndërtimin e kanalizimit në Poroj dhe Xhepçisht, do të investojmë për zgjidhjen e problemit me ujin e pijshëm në Xhepçisht, do të investojmë në rregullimin e sistemit të ujitjes si dhe do të bëjmë investime tjera në infrastrukturë dhe do ta modernizojmë ndriçimin publik” theksoi Bexheti.

Lajme të ngjashme

Back to top button