RMV, BE-ja kërkon të investohen më shumë fonde në luftën kundër ndotjes së ajrit
Komisioni Evropian në Raportin e fundit për progresin e reformave të vendit për vitin 2021 thekson qartë se Maqedonia e Veriut duhet të rrisë fondet që ndahen në nivel kombëtar dhe lokal për reduktimin e ndosjes së ajrit, transmeton Portalb.mk.
“Zbatimi dhe burimet e kufizuara, bashkëpunimi i dobët ndërsektorial dhe koordinimi ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale kufizojnë ndikimin e masave për reduktimin e ndotjes së ajrit. Ndotja e ajrit në qytetet e mëdha mbetet shqetësim serioz”, theksohet në Raportin e Komisionit Evropian.
Pas publikimit të këtij dokumenti, Eko-vetëdija bëri një përmbledhje të shkurtër të Raportit, duke deklaruar se vërejtja kryesore e BE-së është në zbatimin e rregulloreve të reja dhe ekzistuese në vend, të cilat zbatohen në përgjithësi për të gjithë sektorin e mjedisit jetësor dhe klimës.
“Raporti përsërit zbatimin e dobët, shpërndarjen e pamjaftueshme të burimeve dhe bashkëpunimin e dobët ndërsektorial midis autoriteve qendrore dhe lokale si arsyet kryesore për përparimin e dobët në këtë sektor. “Bashkëpunimi më i mirë dhe rritja e fondeve të destinuara për masat kundër ndotjes janë ndër tre rekomandimet më të rëndësishme në Kapitullin 27 për ambientin jetësor”, theksuan nga Eko-vetëdija.
Në raportin e Komisionit Evropian thuhet se vitin e kaluar është prokuruar stacioi monitorues për matjen e cilësisë së ajrit në Gjevgjeli, ndërsa është finalizuar ndërrimi i instrumenteve matëse dhe stacionit ekzistues të monitorimit në Manastir.
Nga Komisioni Evropian pranojnë edhe përmirësimin e sistemit ekzistues kombëtar të menaxhimit të të dhënave për cilësinë e ajrit, si dhe mbështetjen financiare të dhënë nga autoritetet për reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile, si dhe paraqitjen e raporteve dhe të dhënave për vendin tonë në Agjencinë evropiane për mjedis jetësor.
Edhe përkundër kësaj, Komisioni Evropian konstaton se Maqedonia e Veriut ka nivel të caktuar të gatishmërisë në fushën e mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike, duke theksuar se shumica e rekomandimeve të bëra në vitin 2020 nuk janë zbatuar.
Ndryshe, Komisioni Evropian më 19 tetor miratoi Pakon për Zgjerim 2021 bashkë me raportim e progresit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe për Maqedoninë e Veriut. Në raportin që u prezantua në Parlamentin Evropian në Stresburg, Komisioni Evropian e kritikoi bllokadën për hapjen e bisedimeve dhe është e kënaqur që Maqedonia e Veriut vazhdon t’i plotësojë kriteret për anëtarësim të BE-së dhe që autoritetet tregojnë orientim të qartë pro evropian
Raportin e plotë të KE-së për Maqedoninë e Veriut mund ta gjeni: KËTU
- LEXO: KE e miratoi raportin për Maqedoninë e Veriut: Vendi vazhdon t’i plotësojë kushtet për fillimin e bisedimeve
- LEXO: Pjesë nga Raporti i KE-së: Shtyrja e negociatave ndikon negativisht në besueshmërinë e RMV-së dhe BE-së
- LEXO: Kushtet e burgjeve në Maqedoninë e Veriut – therë në sy në rrugën drejt BE-së