Vjedhje dhe blerje votash, a kanë zgjedhjet legjitimitet?

Rritje pensionesh, punësime gjatë fushatës zgjedhore, përdorimi i mjeteve të cilat nuk janë të paraqitura për financimin e fushatës, rastet me keqpërdorimin dhe falsifikimin e letërnjoftimeve janë vetëm disa nga argumentet të cilat rrezikojnë dhe vënë në dyshim legjitimitetin e plotë të zgjedhjeve lokale të 24 marsit, vlerësojnë analistët.

Më shqetësues është fakti se askush nuk po merr masa për këtë situatë, vlerëson Sasho Ordanovski nga “Transparencë Maqedoni”.

Ordanovski thekson se situata e krijuar nuk të jep optimizëm për të besuar se zgjedhjet do të jenë të pranueshme dhe të vlerësuara pozitivisht nga institucionet ndërkombëtare.

“Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit jo vetëm me letërnjoftimet, por edhe dyshimet mbi financimin e fushatave dhe parregullsitë e shumta të shkaktuara gjatë këtij procesi zgjedhor por edhe ato që mund të ndodhin në ditën e zgjedhjeve duke ditur situatën e krijuar dhe tensionet e ngritura ndëretnike, unë nuk mund të konstatoj se a do të jenë të pranueshme këto zgjedhje por mund të them se nuk jam optimist për ato” tha Ordanovski për Portalb

Për vetëm 3 muaj në administratën shtetërore dhe publike janë kryer 4225 punësime ndërsa 246 prej tyre janë realizuar pas shpalljes përfundimtare të datës për zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Nga ministria për punë dhe politikë sociale thonë se ato janë të ligjshme, ndërsa nga komisioni për antikorrupsion heshtin!

Gjithashtu parregullsitë janë të dukshme edhe nëpër disa media në vend të cilat i dhurojnë partive minutazhë më të lartë dhe pa pagesë për promovimin dhe emitimin e reklamave të tyre, gjë kjo që është antiligjore dhe nuk është e drejtë në raport me partitë më të vogla.
Ekspertët vlerësojnë se si korrupsion parazgjedhor mund të cilësohet edhe rritja e 280 000 pensioneve të cilat u shtuan për 5% nga muaji mars i këtij viti.

Deri më tani lidhur me këto ngjarje nuk ka asnjë reagim nga Komisioni shtetëror për antikorrupsion, ndërsa të vetmet që kanë ngritur zërin për këtë çështje janë organizatat joqeveritare.  /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button