Gruevski mobilizoi mërgimtarët e Kërçovës

Nga sot ka filluar ardhja e mërgimtarëve të parë nga Kërçova për të votuar në zgjedhjet e 24 marsit. Aeroplani me grupin e parë prej 100 mërgimtarëve ka aterruar në aeroportin e Prishtinës. Interesi i tyre për të votuar, thonë vjen pas retorikës së ashpër të Liderit të VMRO-s, Nikolla Gruevski. Ata thonë se kanë shumë motiv të votojnë për të fituar kandidati shqiptar në garën për Kërcovën. Në këtë qytet janë vetëm dy kandidatë, Fatmir Dehari i BDI-së dhe Bllagoja Despotovski i VRMO-s dhe LSDM-së.

“Unë kam ardhur vetë, por ka dhe të tjerë që vijnë në mënyrë të organizuar me autobus dhe aeroplanë dhe janë shumë të organizuar. Votimin e ndjejnë si një obligim dhe mundësi të fundit për Kërçovën. Gjitha investimet i sjellim këtu, kush na konsideron si të huajin e ka gabim. Atë që e tha kryeministri le ta gjejë ai vet vendin e vet, ne jemi të Kërçovës dhe këtu kemi lind dhe për këtë vend japim kontributin. Të gjithë jemi shumë të organizuar për vendlindjen tonë” tha një mërgimtar për televizionin lokal Uskana.

“Kam ardhur nga Amerika për të votuar, vendlindja na thërret. Besoj se këto tre ditë do të vijnë më shumë mërgimtar nga ky vend. Organizmi ka qenë i mirë por kush ka mundësi vjen. Shumë më ka prekur deklarata e kryeministrit sepse ne e njohim atë si kryeministër për të gjithë e jo vetëm për maqedonasit. Ne këtu investojmë, dhe djerësin e fundit e lëmë këtu, deklarata e tij edhe më tepër na ka obliguar për të ardhur lëtu” tha një tjetër.

 “Ardhja jonë duhet të vlejë se zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme, janë obligim kushtetues dhe e drejtë e qytetarit, ne mendojmë se organizimi i zgjedhjeve do të jetë në nivel, do të kemi zgjedhje demokratike dhe korrekte dhe po të ndodhi kështu shqiptarët në Kërçovë për herë të parë do të fitojnë kryetar të ri zotin Dehari dhe do të menaxhojnë me Kërçovën. Komuniteti shqiptarë në Amerikë, sidomos ky kërçovar me rastin e Kërçovës është shumë i organizuar, sot ishim mbi 100 vetë të cilët zbritëm, disa në Prishtinë disa në Shkup”, tha Iljaz Kadriu, për Alsat-M mërgimtar.

Me qëllim sensibilizimin e mërgimtarëve për të votuar në zgjedhjet e 24 marsit, kohë më parë në SHBA dhe vendet evropiane qëndroi një delegacioni i BDI-së, i kryesuar nga Ali Ahmeti. 

Lajme të ngjashme

Back to top button