Ahmeti: Kemi ekipin më të mirë për të realizuar projekte reale

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka mbajtur mbrëmë tubim në qytetin e Gostivarit. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se BDI nuk bën deklarata pompoze për të fituar zgjedhjet por ka  grupe pune me ekspertë nga më të mirët nga fusha të caktuara të cilët mund t’i realizojnë programet e kësaj partie.

“Jemi përcaktuar për njerëzit të cilët kanë përgjegjësi politike e kombëtare, jemi përcaktuar për njerëzit që kanë moral, që kanë për qëllim ndryshimet të cilat ne na nderojnë dhe lartësojnë. Jemi në përkrahje të këtij ekipi që do të punojë e realizojë atë program zgjedhor, të cilin e kemi paraqitur vend më vend, fshat më fshat, lagje më lagje, në tërë komunën e Gostivarit. Ju siguroj se BDI, atë që e thotë, atë që e ka shkruar, i del zot, sepse ka forcë, ka energji. Më 24 mars, jo vota juaj, por votën që ju do ta fitoni me të gjithë ata njerëz, të cilit më 24 mars do të votojnë” tha Ahmeti.

Ai ka ftuar banorët të votojnë Bejtën duke i siguruar ata se te ai “kanë një aleat dhe mik, që është i interesuar të punojë dhe të hapë horizonte të reja për Gostivarin, për vende të reja pune dhe investitorë të rinj”, tha Ahmeti. 

Kandidati për komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta tha se Gostivari e njeh punën e tij edhe si profesor edhe si deputet, ai premtoi se do të punojë për këtë qytet.

 “Programin e kam bërë sipas kërkesave të qytetarëve. Do t’i ulim taksat komunale që ju më lehët të investoni. Do të krijojmë kushte të mira për të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë. Ata që dëshirojnë të ndërtojnë, unë bashkë me stafin tim do t’i vizitojmë sepse ata atë e bëjnë në interes të përbashkët. Do t’u krijoj kushte edhe investitorëve të huaj, të cilët u larguan për shkak se kryetari aktual nuk u sjell mirë me ta. Kujdes të veçantë do t’u kushtoj mërgimtarëve tanë të cilët me punë të ndershme kanë krijuar kapital financiar. Ata lirisht mund të kthehen dhe të investojnë në të mirë të të gjithëve. Kryetari aktual për 4 vjet i ka rritur tatimet për 300 për qind. Unë ju garantoj se prej ditës së parë do ta bëj uljen e tatimeve”, tha Bejta. 

Lajme të ngjashme

Back to top button