“Më dëgjo” – fushatë që i nxjerr në sipërfaqe nevojat e të rinjve në komuna

Kur ajri është mbushur me paralajmërimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale, që u transmetua kohë më parë, është e pashmangshme të mos nxiten tema, nisma dhe ngjarje që ndërlidhen me zgjedhjet, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Zgjedhjet paraqesin simbol i shoqërive demokratike, në të cilat qytetarët kanë të drejtë të votojnë për të përcaktuar udhëheqësin e tyre për një periudhë të caktuar. Zgjedhjet lokale zhvillohen në nivel lokal, ku përveç kandidatëve për kryetarë komune, ka edhe kandidatë për këshilltarë.

Edhe këtë vit, para ditës së zgjedhjeve për zgjedhjet lokale më 17 tetor, në Maqedoni u organizuan shumë ngjarje parazgjedhore. Por sa është popullata e re e vetëdijshme për të drejtën e tyre për të votuar dhe e përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kandidatit dhe plotësimit të kërkesave të një shoqërie? A e merr popullata e re, në momentin kur fiton të drejtën për të votuar, atë që dëshiron dhe sa është e përfshirë në atë? Thuhet se interesi i të rinjve ka rënë, por a dëgjohet fare zëri i tyre?

“Më dëgjo” shfaqet si nismë – përgjigje ndaj këtij problemi social, që u krijua në fund të shtatorit të këtij viti dhe zbatohet nga Fondacioni për Demokraci – Westminster (WFD) në partneritet me Fondacionin për Zhvillimin e Komuniteteve Lokale – Shtip (FZhKL-Shtip), Qendra për Edukim dhe Zhvillim – Tearcë (CED – Tearcë) dhe Qendra për Dialog Ndërkulturor – Kumanovë (QDI – Kumanovë). Qëllimi kryesor i nismës është të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve për problemet dhe prioritetet në nivel lokal, në prag të zgjedhjeve lokale të 2021.

“Sipas një studimi nga Fondacioni për Demokraci – Westminster, mbi pjesëmarrjen socio-politike të të rinjve, i botuar këtë vit, rreth 64,8 përqind e të rinjve janë të pakënaqur me vendin e tyre në shoqëri. Të rinjtë nuk kanë besim se dikush kujdeset për ta, 8 nga 10 të rinj mendojnë se autoritetet pjesërisht ose fare nuk kujdesen për nevojat dhe problemet e tyre, ndërsa 3 nga 10 të rinjtë mendojnë se autoritetet nuk i dinë nevojat dhe problemet e të rinjve”,  thanë për Meta. mk nga Fondacioni për Demokraci – Westminster (WFD).

Ata shtojnë se pak të rinj këshillohen nga institucionet, ndërsa ata që konsultohen dhe ndërmarrin iniciativë sociale janë më të kënaqur me vendin e tyre në shoqëri.

“Kjo fushatë i nxjerr në sipërfaqe nevojat e të rinjve nga disa komuna, për vetë të rinjtë, por edhe për vendimmarrësit dhe pjesëmarrësit në zgjedhje që të jenë të vetëdijshëm për atë se cilat janë nevojat e të rinjve dhe si të sigurohen ato. Edhe pse sondazhet tregojnë se të rinjtë votojnë në zgjedhje (53% votojnë rregullisht, 26% votojnë ndonjëherë), interesi dhe niveli i informimit për ngjarjet politike është dukshëm i ulët. Me këtë fushatë duam t’i afrojmë informacionet e  politikave tek të rinjtë në një mënyrë që është e ndryshme dhe që mund të zgjojë interesin e tyre në zhvillimet politike”,  sqarojnë nga Fondacioni për Demokraci – Westminster.

Iniciativa “Më dëgjo”

Fushata i informon të rinjtë për zgjedhjet nëpërmjet rrjeteve sociale, ndërsa si pjesë e fushatës, të rinjtë mund të votojnë për idetë më të rëndësishme për zgjidhjen e problemeve tyre në gjashtë komuna në ueb-faqen: www.slushni.me.

Ueb-faqja e “Më dëgjo!” në fokus e vendos gjetjen dhe promovimin e nevojave të të rinjve nga gjashtë komuna: Karbinci, Kumanova, Likova, Tearca, Tetova dhe Shtipi. Nëpërmjet kësaj ueb-faqeje, të rinjtë mund të votojnë për prioritetet e tyre në secilën na këto komuna. Votimi për idetë e të rinjve duhet t’ua afrojë idetë dhe propozimet e të rinjve kandidatëve për kryetarë komunash. Rekomandimet nga të rinjtë do t’u paraqiten kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të zgjedhur për t’u dhënë ide dhe shtysë për të punuar në përmirësimin e vetëqeverisjes lokale sipas nevojave të të rinjve”, thonë organizatorët.

Bashkëngjitja në të dhe votimi për ide, si dhe dalja me ide të reja, është vërtet e lehtë dhe e arritshme.

“Në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile dhe nëpërmjet fokus grupeve, diskutimeve dhe onlajn pyetësorëve, konsultuam të rinj nga 6 komuna. Kështu, të rinjtë nga Kumanova, Shtipi, Tetova, Tearca, Likova dhe Karbinci i dhanë idetë e tyre për komuna më të mira. Të gjithë të rinjtë e interesuar mund t’i shikojnë ato dhe të përfshihen në votimin për atë që është më e nevojshme, dhe nëse duan të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve në bashkësinë lokale, ata mund ta bëjnë këtë duke monitoruar punën dhe përfshirjen në aktivitetet e organizatave partnere. Çdokush që dëshiron të shohë atë që të rinjtë kanë nevojë në vend dhe të frymëzohet mund ta bëjë këtë në www.slushni.me. Në këtë faqe mund të votohet për tri idetë më të mira në secilën komunë. “Top 3″ prioritetet e përzgjedhura do t’u paraqiten kandidatëve, por edhe kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të ardhshëm të zgjedhur në vetëqeverisjet lokale,” shpjeguan nga Fondacioni për Demokraci- Westminster (WFD).

Përveç përdorimit të onlajn diskutimeve dhe pyetësorëve, “Më dëgjo” organizon edhe debate midis kandidatëve për kryetarë komune dhe të rinjve të interesuar për idetë e reja.

“Në partneritet me Qendrën për Dialog Ndërkulturor – Kumanovë, këtë javë u organizua një debat me kandidatët për kryetarë të komunës Kumanovë, ku ata diskutuan dhe dëgjuan se çfarë presin të rinjtë në komunën e tyre. “Debatet e tilla do të organizohen në Shtip dhe Tetovë në rrethin e dytë të zgjedhjeve, ku të rinjtë do të jenë në gjendje t’ua përcjellin mesazhet kandidatëve”, theksojnë nga “Më dëgjo”.

Edhe pse janë komuna të ndryshme, problemet e të rinjve në shumë prej tyre janë të ngjashme, thonë nga “Më dëgjo”.

“Për shembull, të rinjtë në pothuajse të gjitha komunat duan të hapin qendra rinore ku do të edukohen dhe bashkëpunojnë. Ata duan të përmirësohet transport publik me më shumë linja dhe orar më të qartë qarkullimi, ndërsa ata në zonat rurale duan lidhje më të mirë midis fshatit dhe qytetit. Rinia dëshiron të sigurojë shfaqje kinemaje dhe dhoma për ngjarje kulturore, të organizojë parqe dhe hapësira rekreative, të pastrohen mbeturinat dhe deponitë, të hapen salla leximi dhe shumë ide të tjera. Në propozimet e tyre, të rinjtë nuk kujdesen vetëm për veten, por edhe për të gjithë bashkëqytetarët e tyre – duke kërkuar transport më të mirë publik, ndriçim rrugësh ose rrugë të arritshme për personat me pengesa. Edhe pse këto propozime janë nga vetëm 6 komuna, disa nga nismat nga qendrat më të mëdha urbane do të kishin një kontribut pozitiv në komunat e tjera të një profili të ngjashëm” shpjegoi Fondacioni për Demokraci – Westminster.

Organizatorët thonë se janë të kënaqur që pavarësisht interesimit për të diskutuar problemet e tyre, ka interes dhe hapje mes kandidatëve për kryetarë të komunave për të diskutuar këto çështje.

“Në të njëjtën kohë, ne synojmë dhe duam që “Më dëgjo” të arrijë deri te sa më shumë të rinj, të cilët do të shohin përmbajtjen dhe idetë për përmirësim të komunave”, shpjegojnë organizatorët.

Pyetje dhe komente vijnë vazhdimisht në faqen e fushatës në Facebook. Nëpërmjet kësaj fushate, ata kanë pranuar 38 ide krijuese dhe reale për zgjidhjen e problemeve lokale në 6 komuna, të cilat erdhën nga vetë të rinjtë.

Iniciativa  “Më dëgjo”

Ata shtojnë se fushata synon të vazhdojë të ekzistojë edhe pas zgjedhjeve derisa të arrihet qëllimi i parë kryesor.

“Rreth 83,9 përqind e të rinjve nuk besojnë se mund të ndikojnë në mënyrën se si funksionojnë autoritetet. Nëpërmjet kësaj fushate duam të promovojmë nevojat e tyre dhe të inkurajojmë institucionet të punojnë për to. Pas zgjedhjeve, “Më dëgjo” do t’i dorëzojë idetë e të rinjve tek kryetarët e zgjedhur të komunave dhe këshilltarët e komunave me të cilat ne bashkëpunojmë. Në secilën komunë, autoritetet do të njihen me zgjidhjet e përzgjedhura për të cilat kanë nevojë të rinjtë dhe do të inkurajohen që të punojnë në to gjatë mandatit të tyre. Rrjeti i të rinjve dhe organizatat do të punojnë me qeveritë vendore për të siguruar zbatimin e propozimeve. Pas zgjedhjeve, ne do të publikojmë të dhëna dhe informacione të tjera të dobishme në kanalet e mediave sociale. Shpresojmë se kjo fushatë ka ndihmuar që komunat të punojnë për më shumë mundësi për të rinjtë dhe i ka inkurajuar të rinjtë që të avokojnë për prioritetet e tyre para institucioneve, duke përdorur të drejtën e tyre për të votuar, nëpërmjet avokimit dhe aktivizmit”, thonë nga Fondacioni për Demokraci – Westminster.

Përmbajtjet konceptuale të këtij lloji krijohen për të mbajtur të rinjtë në vend, për t’iu dhënë arsye për të zvogëluar migrimin e të rinjve dhe popullsisë së vendit në përgjithësi. Suksesi i një nisme të tillë varet nga faktori kryesor i saj – të rinjtë dhe aktiviteti i tyre për shoqëritë në të cilat ata jetojnë. Rritja e këtij numri mund të jetë hapi i parë në krijimin e mjediseve të reja, më të mira për jetesë, të banuara nga qytetarë të kënaqur, por edhe për të kontribuar të ketë kryetarë të komunave me vetëdije të shtuar për nevojat e qytetarëve në qeverisjen vendore. Fushata është pjesë e projektit Iniciativa për Demokraci në Ballkanin Perëndimor që zbatohet nga WFD, me mbështetje nga Qeveria Britanike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button