Arifi dhe Zeqiri u premtojnë ndihmë bujqve, Bexheti viziton zyrën kroate

Kandidatët për kryetarë të Tetovës, Izet Zeqiri, Sadi Bexheti dhe Teuta Arifi vazhdojnë aktivitetet e tyre parazgjedhore.

Kandidati i Rilindjes Demokratike Kombëtare ka pasur takim me bujqit në fshatin Xhepçisht. Ai akuzoi Qeverinë për anashkalim të bujqve shqiptar.

“Vetëm për vitin 2012 u ndanë 120 milion denarë subvencione për bujqësi, nga to asnjë nuk morën shqiptarët. Në vitin 2013 janë ndarë 138 milion denarë ndërsa sërish zero do tu takojnë shqiptarëve. Premtoj se do tu ndihmoj në plotësimin e dokumente dhe nevojave të tjera që edhe ju të merrni paratë e shtetit si që bën VMRO me maqedonasit që marrin para edhe kur kanë një mace në shtëpi” tha Zeqiri para banorëve të fshatit Xhepçisht.

Arifi premton Departament për zhvillim rural
Kandidatja për kryetare të Tetovës, Teuta Arifi zhvilloi sot takim me bujqit e Reçicës së Madhe dhe bujqit e Xhepçishtit dhe Porojit. Në këto takime u diskutua për problemet e menaxhimit të kanaleve për ujitje, subvencioneve bujqësore dhe pikat grumbulluese dhe nevojat e bujqve për të kryer me sukses angazhimet e tyre. 

“Në kuadër të Seksionit për zhvillim ekonomik do të themelohet Departamenti për zhvillim rural i udhëhequr nga kuadro profesionist të cilët do të kenë për detyrë nxitjen e aktivitetit bujqësor, ngritjen e kapaciteteve bujqësore dhe lehtësimin e zhvillimit të bujqësisë për palët e interesuara. Disa nga qëllimet kryesore të departamentit të ri të bujqësisë do të jenë, dhënia e këshillave bujqësore në lidhje me mundësinë e shfrytëzimit të mjeteve nga Programet për përkrahje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural si dhe mjeteve nga IPARD fondet,krijimin e kushteve reale për shfrytëzimin e fondeve paraqasëse të Bashkimit Evropian për nxitjen e bujqësisë si dhe projekteve të tjera në drejtim të implementimit të teknologjive të reja profitabile, nxitjen e rritjes së eksportit të prodhimeve bujqësore vendore, krijimi i sistemit për pastrim të rregullt të kanaleve dhe ujitje të sipërfaqeve bujqësore etj” u tha bujqve Teuta Arifi.

Sadi Bexheti viziton zyrën kroate në Tetovë 

Kandidati i PDSH-së për komunën e Tetovës, Sadi Bexheti, ka vizituar sot zyrën kroate në Tetovë dhe është takuar me kryetarin e Shoqatës kroate, Goran Vidaçek. 
Kryetari Bexheti tha se gjatë kësaj qeverisjeje ka pasur një bashkëpunim të frytshëm me komunitetin kroat në Tetovë, duke mbështetur aktivitetet e tyre kulturore, artistike dhe sportive.

“Është mjaftë e rëndësishme eksperienca e Kroacisë drejt integrimeve në Bashkimin Evropian, prandaj duhet të shfrytëzohet kjo përvojë. Dyert e komunës do të jenë të hapura gjithnjë për bashkëpunime të tilla dhe do të vazhdojmë me projektet tona të përbashkëta për afirmimin e komunitetit kroat në qytetin tonë”, tha Bexheti.

Bexheti gjithashtu ka pritur në një takim, një delegacion të ambasadës së SHBA-ve në Maqedoni të kryesuar nga këshilltarja për çështje politike dhe ekonomike, znj. Michele Siders.

 “Ne paraqitëm edhe njëherë qëndrimin për tu angazhuar maksimalisht në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ne do të japim kontributin tonë maksimal, ashtu si në zgjedhjet e kaluara, për organizimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe demokratik, ku të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre”, tha kryetari Bexheti.

Lajme të ngjashme

Back to top button