Regjistri qendror fshin nga lista kompanitë jo-aktive

Pas paralajmërimit se nga nesër Regjistri qendror i Republikës së Maqedonisë do të jetë i hapur për pyetje të qytetarëve përmes ditëve të hapura, drejtori Vanço Kostadinovski informoi se pas përfundimit të afatit të caktuar me ligj i cili është 4 prill, kompanitë të cilat janë jo-aktive do të fshihen nga Regjistri qëndror. 

Ai informoi se Regjistri ka thuajse një muaj që u ka bërë thirrje kompanive të shpallin falimentim ose të hapin procedurat për falimentim.

“Pas përfundimit të afateve të përcaktuara me ligj, do të nisim me fshirjen. Në këtë mënyrë dhe do të behet i qartë në opinion numri i kompanive joaktive, gjegjësisht me fshirjen e kompanive të kategorisë së parë, ky numër do të ulet. Më pas vazhdohet me kategorinë e dytë të kompanive të cilat janë joaktive, gjegjësisht që nuk kanë llogari vjetore për tre vitet e fundit ose kanë dorëzuar deklarata dhe llogari të zbrazëta vjetore për mospasjen e aktivitetit afarist. Në fund do të shkohet me kategorinë e tretë, gjegjësisht Drejtoria për të ardhura publike në bazë të regjistrit të cilin e ka marrë nga Agjencia për llogari të bllokuara do të na njoftojë cilat janë kompanitë me llogari të bllokuara”, tha sot Kostadinovski.

Ndryshe, Ditët e hapura të Regjistrit fillojnë në Veles, ndërsa sistemimi për ditët e ardhshme do të publikohet në ueb faqen e Regjistrit Qendror. 

“Ekipet në mënyrë të shpejtë dhe efikase do t’u japin përgjigje të interesuarve në vendngjarje, ndërsa qytetarët do të njoftohen për të gjitha pyetjet e hapura që për ta paraqesin dilemë. Nëse kërkesat e qytetarëve janë jashtë kompetencave të Regjistrit Qendror, do ta dërgojmë deri te institucioni i cili është kompetentet për zgjidhjen e problemit të tyre”, theksoi Kostadnovski në konferencën e sotme për shtyp. /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button