Masat kufizuese që do të zbatohen në ditën e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë

Maqedonia e Veriut mban zgjedhjet lokale më 17 tetor, ndërsa autoritetet kanë përgatitur protokollet e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit që do të zbatohen në ditën e zgjedhjeve, në bazë të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit për Sëmundje Infektive, transmeton REL. Në këto protokolle thuhet se para nisjes së procesit të votimit do të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i hapësirave.

Varësisht prej mundësive dhe kushteve, pranë dhe në vendvotim do të vendosen në vende qartë të dukshme materiale edukativo-informative për respektim të masave dhe rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore.

“Rekomandohet që në hapësirat që do të përdoren si vendvotime, dritaret të jenë të hapura gjatë votimit, ose më shpesh të ajrosen në çdo orë”, thuhet në rregulloren e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, për mbrojtje shëndetësore gjatë procesit zgjedhor.

“Personi që voton detyrimisht duhet të mbajë maskë mbrojtëse ose shall/pecetë/mbulesë për hundë dhe gojë. Votuesi, para hyrjes, brenda dhe gjatë daljes nga vendvotimi, pret në radhë, në distancë 1.5 deri 2 metra. Votuesi gjatë hyrjes brenda në hapësirë së pari i dezinfekton duart dhe para se të paraqesë dokumentin personal e largon maskën për t’u identifikuar, duke e respektuar gjatë kësaj distancën e nevojshme minimale”, thuhet në udhëzime.

Anëtarët e këshillave zgjedhorë dhe të gjithë personat tjerë të cilëve u është lejuar të jenë të pranishëm në vendvotim gjatë votimit dhe të cilët e monitorojnë votimin, detyrimisht duhet të respektojnë masat e përgjithshme parandaluese dhe rekomandimet që kanë të bëjnë me distancën, mbajtjen e maskës dhe dezinfektimin e duarve.

Komisionerët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në Kosovë do të duhet të jenë të vaksinuar apo të kenë dëshminë se janë negativë në koronavirus apo se e kanë kaluar sëmundjen. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kërkuar partive politike që të zbatojnë këtë masë.

Por, ky rregull nuk do të vlejë edhe për votuesit, konfirmojnë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Qytetarëve do t’iu kërkohet të mbajnë maska mbrojtëse dhe distancë fizike.

Pandemia çrregulloi mbajtjen e zgjedhjeve në shumë vende

Pandemia e COVID-19 u shpall në mars të vitit 2020. Për shkak të situatës epidemiologjike, atë vit dhjetëra vende shtynë mbajtjen e zgjedhjeve. Por, të tjera megjithatë vazhduan me mbajtjen e tyre pavarësisht se përhapja e koronavirusit kishte marrë hov dhe deri në fund të atij viti nuk kishte as vaksinë kundër COVID-19.

Sipas një raporti të Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, me seli në SHBA, vendet që mbajtjen zgjedhjet ndërmorrën masa të ndryshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në ditën e zgjedhjeve, por kryesoret ishin: mbajtja e distancës fizike, matja e temperaturës në hyrje të qendrave të votimit dhe mbajtja e maskës.

Në disa vende u zgjat koha e votimit për t’iu mundësuar autoriteteve që të dezinfektojnë hapësirat në qendrat e votimit. Shumë vende shtuan numrin e qendrave të votimit për të mos lejuar grumbullimin e qytetarëve.

Sipas këtij raporti të publikuar në shtator të vitit të kaluar, ndër shqetësimet më të mëdha për mbajtjen e zgjedhjeve në pandemi është pjesëmarrja më e ulët e votuesve.

“Nëse zyrtarët nuk komunikojnë me qytetarët në lidhje me kufizimet shumë mund të mos shkojnë në votime nga frika se do të kontraktojnë virusin”, thuhej në raport.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button