Ministri Osmani vlerësoi që Bashkimi Evropian po e humb kredibilitetin në rajon
Bashkimi Evropian po humb kredibilitetin në Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani duke komentuar zhvillimet e fundit në raport me Bullgarinë, e cila edhe në samitin e BE-së, në Bërdo të Sllovenisë, nuk tregoi shenja për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, raporton REL.
“Nuk dua të arsyetoj hezitimin e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, i cili nuk është i pëlqyeshëm dhe po rrënon kriminalitetin e BE-së në rajon. Ky është proces kompleks dhe qëllimi është aq i madh sa që arsyeton pritjen, durimin dhe përkushtimin tonë për t’u bërë pjesë e BE-së, për shkak se ne ku kemi alternativë tjetër. Është një proces për të cilin duhet të ketë konsensus nga 27 vendet anëtare dhe ne po punojmë me të gjitha, edhe me ato që hezitojnë për dinamikën e zgjerimit, por edhe me Bullgarinë, e cila ka problem me dosjen tonë”, ka deklaruar Osmani.
Ai tha se dallimet mes dy vendeve kanë të bëjnë me pesë pika si, ajo me emrin e shtetit (të përcaktohet se emri Maqedonia e Veriut ka të bëjë vetëm me kufijtë e saj ekzistues) gjuhën e urrejtjes, rehabilitimin e viktimave nga komunizmi, punën e komisionit të historisë, mospërzierjen në punët e brendshme dhe e fundit për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani duke komentuar kërkesën e fundit të palës bullgare, tha se kjo nuk është aspak kontestuese pasi këtu, siç tha ai, njihen të gjitha entitetet dhe se në aktin më të lartë juridik në vend, mund të përshihet edhe pakica bullgare.
“Unë vlerësoj se kërkesa për përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutë, nuk është në kundërshtim me interesat tona. Vlerësoj se më këtë Bullgaria po heq dorë nga pozicioni i saj fillestar, apo nga kërkesat e saj joracionale, për një popull në dy shtete dhe tani kalon në kërkesën se këtu tek ne, ka një bashkësi etnike bullgare me të gjitha veçoritë e saj ndryshe nga popullata shumicë, ajo maqedonase. Maqedonia e Veriut, asnjëherë nuk e ka pasur problem që të njoh grupet e ndryshme etnike dhe këtë problem nuk e ka as me pakicën bullgare. Por, kjo mund të ndodhë, ashtu siç ka deklaruar edhe kryeministri Zoran Zaev, në momentin kur do të hapet kushtetuta për anëtarësimin e vendit në BE”, ka deklaruar Osmani.
Por, ndryshe nga autoritetet maqedonase, zyrtarët bullgarë, në veçanti ish-zëvendëskryeministri, Krasimir Karakaçanov dhe ish-ministrja e jashtme Ekaterina Zaharieva, kanë thënë se çështjet kontestuese, kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike, apo se maqedonasit, sipas tyre, duhet të pranojnë se identiteti dhe gjuha maqedonase, ekzistojnë pas vitit 1945 dhe se para kësaj periudhë, ato kanë pasur prejardhje bullgare.
Bullgaria, në nëntor të vitit 2020 ka vendosur veto ndaj Maqedonisë së Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin maqedonas. Kjo ka bërë të pamundur nisjen e bisedimeve, edhe pse nga BE-ja kanë thënë se vendi ka përmbushur kushtet për mbajtën e konferencës së parë, BE – Maqedoni e Veriut.