BE-ja e ndihmon Ballkanin Perëndimor me fonde, por pa datë konkrete për integrimin
Liderët e BE-së në Samitin e Bërdos edhe njëherë nuk arritën të dërgojnë porosi konkrete te vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet së cilës do t’u sigurohej integrimi ne Union. Ata vetëm premtuan edhe një herë, si rëndom, “perspektivën evropiane” dhe mbështetje më të gjerë ekonomike për Ballkanin Perëndimor gjithnjë e më të zhgënjyer i cili me vite të tëra pret para dyerve të BE-së dhe nuk e di se edhe sa duhet të pret, pavarësisht se vetë BE thotë se janë mbushur kushtet për fillimin e bisedimeve, shkruan Portalb.mk.
Me gjasë, për të qetësuar zhgënjimet në rritje në rajon, bisedimet e samitit me homologët e Ballkanit Perëndimor si dhe një pikë e mirë e vetë deklaratës së këtij Samiti u përqendrua në investimet e ardhshme në kuadër të pakos mbështetëse të BE -së për rajonin.
Mbështetjes së deritanishme të BE-së për pandeminë prej 3.3 miliardë eurosh do t’i shtohen edhe 1.1 miliardë euro të tjera deri në fund të vitit 2021, pjesë e granteve prej 9 miliardë eurosh dhe një skemë e re garancie që Brukseli shpreson të gjenerojë edhe një investim prej 20 miliardë eurosh në rajon.
Paketa, e referuar si Plani Ekonomik dhe i Investimeve (EIP), nuk është asgjë e re – dhe u propozua vitin e kaluar nga Komisioni Evropian, i cili shpreson se injeksionet mund të përfaqësojnë pothuajse një të tretën e PBB -së totale të rajonit, aktualisht në rreth 100 miliardë euro, dhe çojnë në një rritje prej 3.6%.
Investimet do të përqendrohen në sjelljen e Ballkanit Perëndimor në agjendën e gjelbër të BE -së dhe përmirësimin e infrastrukturës.
Sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, në vitin 2020, aktiviteti ekonomik në rajon u tkurr me rreth 3.4%,, që përbën rënien më të keqe të regjistruar deri tani.
Në deklaratën e Samitit – paketën e Planit Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, thuhet si vijon
- Pas thirrjes së Udhëheqësve në Samitin e Zagrebit, BE-ja parashtroi një Plan Ekonomik dhe Investimi (PEI) dhe udhëzime për Zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Plani përcakton një paketë të konsiderueshme të investimeve që mobilizon rreth 30 miliardë euro për rajonin gjatë shtatë viteve të ardhshme, e përbërë nga 9 miliardë euro në financimet me grante dhe 20 miliardë euro në investime, të shfrytëzueshme përmes Instrumentit të ri të Garancisë së Ballkanit Perëndimor. Maksimizimi i ndikimit të mundshëm të PEI-së kërkon që partnerët e Ballkanit Perëndimor të ndërmarrin me vendosmëri reforma ekonomike dhe sociale, si dhe të forcojnë sundimin e ligjit. Plani mund të nxisë rikuperimin dhe aftësinë konkurruese të gjelbër social-ekonomike të rajonit në planin afatgjatë, të mbështesë tranzicionin e saj të gjelbër dhe dixhital, të nxisë lidhshmërinë e qëndrueshme, integrimin rajonal, tregtinë, duke forcuar kështu edhe bashkëpunimin dhe konvergjencën me BE-në, duke përfshirë me objektivat e BE-së të lidhura me klimën.
- Ne mirëpresim miratimin e fundit të kuadrit ligjor për zbatimin e IPA1 III, i cili do të vazhdojë të jetë burimi kryesor i asistencës financiare për rajonin, përfshirë edhe për PEI-në. Komisioni synon të propozojë një paketë investimi prej 600 milionë eurosh sipas IPA 2021 për implementimin e EIP-së për Ballkanin Perëndimor, sipas procedurave në përputhje me kornizën e programit të IPA III dhe rregullave të implementimit. Së bashku me propozimin e 500 milionë eurove të njoftuar në korrik, kjo do të ofronte një total prej 1,1 miliardë për implementimin e EIP-së deri në fund të vitit 2021.
Por, a do të zbusin këto fonde zhgënjimin dhe frustrimin?
BE-ja në vazhdimësi ka investuar përmes fondeve të saj në Ballkanin Perëndimor, por kjo nuk ka ndikuar aspak që këto vende, pas çdo refuzimi të ndjenjë zhgënjim akoma edhe më të thellë. Madje edhe besimi i qytetarëve në Bashkimin Evropian, sipas sondazheve të kryera në vendet përkatëse, vazhdon të ketë rënie. Por megjithatë dëshira për integrim mbete në niveli e njëjtë.
Sipas një hulumtimi të EUROMETER, shumica e qytetarëve të RMV-së, do të votonin për “po” që Maqedonia e Veriut të hynte në BE, ndërsa është rritur përqindja e qytetarëve që presin hyrje në BE në pesë vitet e ardhshme. Por megjithatë, akoma është i madh numri i qytetarëve që kanë mendim negativ për qëndrimin e BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut, 47.4 përqind e tyre vlerësojnë se qëndrimi i BE ndaj vendit është i padrejtë, arrogant dhe shantazhues, ndërsa 20.7 përqind mendojnë se qëndrimi është i drejtë, miqësore dhe korrekt.
Në këtë samit BE-ja edhe njëherë rikonfirmoi angazhimin e saj ndaj procesit të zgjerimit, megjithëse liderë e BE-së këmbëngulin që blloku të përqendrohet në “reforma të besueshme nga partnerët, kushtëzueshmëri të drejtë dhe rigoroze dhe parimin e meritave të veta”.
Por me procesin e bllokuar nga mosmarrëveshje të ndryshme, shumë veta në Ballkanin Perëndimor mendojnë se deklarata e BE -së mund të mbetet veç deklaratë boshe.
Për më tepër, duke pasur parasysh se Franca e kujdesshme ndaj zgjerimit nuk ka gjasa ta bëjë pranimin në BE si përparësi gjatë presidencës së saj në Këshillin e BE-së në fillim të vitit 2022, disa diplomatë të BE-së tashmë shqetësohen se procesi së shpejti mund të marrë një prapavijë.
Duke folur në Bërdo pas samitit, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen pranoi se në vizitën e saj të javës së kaluar në rajon “kishte ndjerë padurimin e njerëzve dhe pjesërisht frustrimin e tyre për kohëzgjatjen e procesit qasës me BE-në”.
Von der Leyen tha se ishte bërë shumë përparim, por rajoni duhej të “qëndrojë në po të njëjtën rrugë” të reformave themelore. Sidoqoftë, komentet e Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel sugjeruan se vetëm reformat nuk do të jenë të mjaftueshme për vendet që të pranohen në bllok.
Ndërkohë, Sllovenia, e cila iu bashkua BE-së në vitin 2004, është mbështetëse e fortë e zgjerimit.
Më herët, Sllovenia, kishte kërkuar të përfshinte një angazhim për pranimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në bllok deri në vitin 2030. Por kjo iniciativë dështoi.
Kancelarja gjermane në largim Angela Merkel e hodhi poshtë idenë, duke u shprehur se “nuk besoj në caktimin e datave, besoj në përmbushjen e premtimeve tona: Pasi të përmbushen kushtet, pranimi mund të bëhet”.
Vendosja e një afati do ta vendoste BE-në nën presion, pavarësisht nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor i përmbushnin kushtet e vendosura nga blloku prej 27 vendesh apo jo, tha ajo.
Se deri kur do të vazhdojë kjo ngecje, nuk dihet, por një gjë është e sigurt, të gjithë i druhen faktit nëse vendet e Ballkanit Perëndimor, do t’i qëndrojnë besnike rrugës dhe ëndrrës evropiane pas gjithë këtyre viteve në ‘dhomën pritëse’.