Strugë, Sela : ” Mos u bëni preh e provokimeve, Zoti i do durimtarët”

” Kam ardhur t’ju kërkoj votën dhe t’ju garantoj se nuk do t’ju zhgënjej. Kam Program konkret për komunën në përgjithësi dhe çdo vendbanim në veçanti.” Ishin këto disa fjalë që Ziadin Sela, kandidat për kryetar të komunës së Strugës nga radhët e PDSH-së, u drejtoi banorëve të fshatrave Koroshishtë, Zhepin, Dollogozhdë dhe Pohum.

Ai u ofroi banorëve ofertën e vet, në formë të shkruar ku janë të parapara projektet e tij për çdo vendbanim. Për banorët e kësaj ane, Sela premtoi ndërtimin e sistemit të kanalizimit, rregullimin e problemit me ujë të pijshëm, asfaltim të rrugëve dytësore, etj.

Në veçanti, për banorët e Koroshishtës, Sela premtoi ndërtimin e një salle për aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore, pranë shkollës fillore, si dhe mbështetje institucionale për klubin e futbollit dhe SHKA “Jehona”. Për banorët e Dollogozhdës përveç tjerave, Sela premtoi hapjen e rrugës për në kalanë e Dollogozhdës dhe shndërrim në destinacion turistik, rregullimin dhe mirëmbajtjen e përroit ” Vromi”, si dhe mbështetje institucionale për KF “Dollogozhda” dhe SHKA “Besa”.

Ndërsa për banorët e Pohumit Sela ka paraparë projekt madhor, ngritje të fshatit tradicional shqiptar, bujtinë dhe han, për të parandaluar shpërnguljen. Madje për to, Sela premtoi se brenda 2 viteve të para qeverisjeje, banorët e Pohumit do të shikojnë turistët e parë që do të vizitojnë Pohumin.

Sela në takim me banorët e këtyre fshatrave, kërkoi prej tyre që të jenë të qetë dhe mos bien preh e provokimeve të ndryshme, të bëra nga oponentët.

” Ju lus të jeni të qetë, mos u bëni preh e provokimeve të ndryshme. Ka mbetur edhe pak ditë deri më 24 mars. Le t’ju provokojnë, le t’ju shajnë, ju prapë duroni. Duroni se edhe Zoti i do të durimtarët. Ata do t’ju bëjnë presion, do t’ju bëjnë premtime për vende pune, mos iu besoni se prapë gënjejnë, siç na kanë gënjyer për 8 vjet me rradhë.”-theksoi Sela.

Sela gjithashtu u sqaroi banorëve se ai është ndyshe nga oponentët e tij, se funksionin e deputetit e ka ushtruar me përgjegjësi dhe gjithnjë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.

” Unë kam propozuar amandament për largimin e deponisë së egër të qytetit, Arben Labënishta dhe Nedim Ramizi kanë votuar kundër. Unë kam propozuar amandament për ndërtimin e sistemit të kanalizimit në vendbanimet shqiptare, ata votuan kundër. Unë propozova amandament për ndërtimin e mbikalimit në udhëkryqin te rruga magjistrale, ata prapë votuan kundër… Ne nuk jemi si ata, ne jemi ndryshe, ne jemi faqebardhë dhe të tillë bashkë me ju do të mbesim edhe pas 24 marsit. Sepse ju do ta dënoni këtë politikë.” – tha Ziadin Sela para banorëve të këtyre fshatrave.

Ai, u bëri thirrje qytetarëve që sa më masovikisht të dalin në votime dhe të votojnë numrin 22.

Lajme të ngjashme

Back to top button