RMV, Qeveria jotransparente për implementimin e dokumentit “Agjenda Evropa në Shtëpi”

Sekretariati për Çështje Evropiane nuk tregohet transparent nëse, dhe deri ku e ka zbatuar dokumentin Agjenda Evropa në Shtëpi. Për këtë dokument, i cili përmban reforma të rëndësishme për integrimin evropian të vendit që në fillim të prezantimit të tij, është thënë se do të jetë në monitorim të vazhdueshëm dhe transparent rreth zbatimit të tij. Qeveria, në çdo seancë të saj, duhet të shqyrtojë se çfarë është bërë dhe çfarë jo lidhur me këtë dokument, megjithatë, sipas njoftimeve që i jep qeveria në ueb-faqen e saj pas përfundimit të çdo seance nuk ka informacion të bollshëm se sa dhe çfarë konkretisht ka diskutuar mbi këtë dokument, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk, është përpjekur disa herë të marrë informacione nga Sekretariati për Çështje Evropiane, mbi raportet që e ka për detyrë t’i përgatisë ky institucion, madje edhe t’i publikojë në ueb-faqen e saj, por pa asnjë rezultat. Pyetjes sonë se ku ndodhen raportet për procesin e implementimit të këtij dokumenti, iu përgjigjën po me pyetje, “cilat raporte?”, sikur nuk ka dhe as që është dashur të ketë, kur në fakt në vetë këtë dokument, theksohet se Sekretariati përgatit raporte, sipas asaj që shkruhet në vetë dokumentin, në maj, shtator dhe dhjetor. Por, në ueb-sajtin e këtij institucioni nuk mund të gjendet asnjë raport lidhur me këtë çështje, përveç informacioneve që lidhen me datën e publikimit të dokumentit në mars të këtij viti.

Rezultati i kërkimit në ueb-faqen e SÇE-së të dokumentit Agjenda Evropa në shtëpi

Mungesa e transparencës vështirëson tej mase marrjen e informacioneve në lidhje me implementimin e saj,pasi reformat janë të shpërndara në shumë fusha, dhe për të arritur në një informacion definitiv dhe të saktë, duhet kontaktuar me shumë institucione, pasi këto reforma nuk janë thjeshtë një hallkë e vetme, por një zingjir, që të qon nga institucioni në institucion.

Për sa i përket këtyre raporteve dhe mënyrën e monitorimit në dokument thuhet si vijon: “Në përputhje me angazhimin e qeverisë për transparencën, realizimi ie agjendës: Evropa në shtëpi do të monitorohet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Bazuar në këtë dokument, SÇE ka zhvilluar një matricë të përshtatshme që detajon aktivitetet për secilin qëllim në fushat e agjendës: Evropa në shtëpi. Dinamika e përgatitjes së raporteve për zbatimin e këtij dokumenti do të pasojë përgatitjen e raportit të Komisionit Evropian për këtë vit, me pasqyrë përparimi deri në maj, shtator dhe dhjetor 2021“. Megjithatë nuk gjenden askund dy raportet e deritanishme, i majit dhe ai i shtatorit.

Pjesa e monitorimit, implementimit dhe raportimit?

Në pjesën e monitorimit të vazhdueshëm të zbatimit të këtij dokumenti institucionet kompetente për zbatimin e masave të këtij dokumenti thuhet se:

  • dërgojnë status implementimi
  • Sekretariati për Çështje Evropiane përgatit seksion javorë për gjendjen e zbatimit të Agjendës: Evropa në Shtëpi
  • Zëvendëskryeministri i qeverisë për Çështje Evropiane e informon Qeverinë në lidhje me seksionin javor.

Raporti mbi zbatimin 

  • Bazuar në raportet e shkurtra, SÇE përgatit raport gjithpërfshirës për zbatimin e planit dhe ia dorzon Qeverisë
  • Qeveria e shqyrton dhe miraton raportin e implementimit
  • Raporti publikohet në ueb-faqet e Qeverisë dhe SÇE-së
  • Raporti prezantohet në publik; dialog i vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara

Duke hasur në pengesa të tilla, Portalb.mk, tashmë i ka dërguar Sekretariatit edhe kërkesë zyrtare për qasje në informacione të karakterit publik dhe sipas afatit ligjor, ata, brenda 30 ditësh duhet të kthejnë përgjigje. Vetëm atëherë, gjithmonë nëse marrim përgjigje, do të dihet me saktësi nëse ka raporte të tilla apo jo.

Shumë pak nga reformat e kësaj agjende janë zbatuar, madje edhe ato që janë zbatuar kanë qenë jasht afatit të paraparë në të.

Ky dokument u shpalos me shumë eufori nga kryeministri Zoran Zaev dhe zëvendës kryeministri Nikolla Dimitrov, por gjashtë muaj pas shpalosjes së tij, nuk ka asnjë paraqitje për mediat nga të sipërpërmendurit, që të raportojnë me po aq eufori arritjet e këtij dokumenti. Nëse situata vazhdon të jetë e njëjtë me mos-transparencë, të gjitha lëshimet do të evidentohen në raportin e Komisionit Evropian, i cili pritet të publikohet deri në fund të vitit,

Ndryshe, dokumentin Agjenda-Evropa në shtëpi”, Qeveria e Maqedonisë së Veriut e shpalosi më 9 mars, në të cilin janë hartuar qëllimet, hapat dhe veprimet për reformën zgjedhore, gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe fusha të tjera. Ky dokument përveç se ka përmbledhur aksionet dhe reformat që duhet të zbatonin institucionet kompetente, nuk konsiderohet ndonjë risi e veçantë.  Ajo që pritej të shihet nga kjo Agjendë është nëse do të respektoheshin afatet për përmbushjen e këtyre qëllimeve që kanë filluar nga marsi deri në dhjetor të këtij viti. Por, që duket se këto afate po mbesin vetëm në letër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button