Portalb nënshkroi Kartën për raportim etik gjatë fushatës zgjedhore

Sot kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari nënshkroi Kartën për raportim etik gjatë fushatës zgjedhore 2021. Kjo kartë u nënshkrua edhe nga disa mediume në RMV, në mesin e të cilëve edhe partneri i Portalbit, Meta.mk. Nikoqir i kësaj ngjarjeje ishte Instituti Demokratik Kombëtar për Çështjet Ndërkombëtare (NDI).

Mediumet rrethuan “Po” për raportim fer dhe demokratik gjatë zgjedhjeve lokale të tetorit. Në këtë kartë të nënshkruar nga mediat përfshihen disa pika, edhe atë:

  • Parimi i vërtetësisë dhe objektivitetit
  • Parimi i paanshmërisë
  • Parimi i dallimit të drejtë mes informacionit dhe komenteve
  • Parimet e ndershmërisë dhe pavarësisë
  • Parimi i solidaritetit profesional
  • Parimi i paarësisë redaktuese dhe integritetit profesional
  • Parimi i respektit dhe tolerancës
  • Parimi i mundësive të barabarta për gratë dhe burrat
  • Parimi i lirisë dhe përgjegjësisë.

Nënshkruesit e kësaj Karte ranë dakord që të respektojnë këto parime dhe të angazhohen në mënyrë aktive për afirmim të etikës dhe profesionalizmit në raportim.

Disa mediume rrethuan “Po” për raportim fer dhe demokratik gjatë zgjedhjeve të tetorit

Kryeredaktorja e Portalb.mk, Zylbeari deklaroi se për Portalb.mk, raporton në mënyrë profesionale jo vetë gjatë periudhës së zgjedhjeve, por se ky është parim i punës.

“Portalb.mk, me vite angazhohet për raportim etik, profesional dhe korrekt. Këtë nuk e bëjmë vetëm kur i ndjekim zgjedhjet, por është parim i yni i punës. Këtë para se gjithash e kemi obligim para lexuesve tanë, të cilët meritojnë të informohen në mënyrë të drejtë për ngjarjet në vend. Portalb.mk, do të vazhdojë t’i ndjekë me përpikëri rregullat dhe standardet e gazetarisë profesionale dhe do të jemi gjithmonë në anën e të drejtës, pavarësisht se çfarë dhe për kë raportojmë”, tha Zylbeari.

Nikoqiri i kësaj ngjarjeje, Robert Scott Heaslet– drejtor i lartë i NDI-së, tha se një nga elementet e rëndësishme të kësaj kampanje është t’i jepet fund dhunës ndaj grave në politikë, kështu duke mënjanuar paragjykimet, stereotipat, gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet seksuale.

“Vitin e kaluar NDI realizoi një hulumtim me 10 parti politike në RMV dhe doli se 2 nga 3 gra politikane kanë përjetuar dhunë, një nga dy prej tyre tha se ka përjetuar dhunë nga anëtarët e partisë së njëjtë, ndërsa dy nga tre nuk e kanë raportuar incidentin. 72% e këtyre rasteve ndodhin në nivel lokal.” tha Heaslet.

Ai shtoi se fton mediat të bashkëngjiten duke rrethuar “Po, për zgjedhje fer dhe demokratike”, pasi sipas  tij nënshkrimi i kësaj është hapi i parë në këtë drejtim.

Zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojnë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button