Zgjidhet papa i ri, Vatikani tymosi bardhë

20.45 Arqipeshkvi i Buenos Aires, Jorge Mario Bergoglio do të zëvendësojë Papën e dorëhequr Benedikti XVI në drejtimin e Kishës së Shenjtë. E gjithë bota i ktheu mbrëmjen e sotme sytë nga Vatikani, kur kardinali Tauran njoftoi zgjedhjen e 76-vjeçarit Bergoglio, i njohur në konklavën e kaluar si një ndër kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e Kishës. 

Jezuiti i vetëm brenda Konklavës ka marrë 2/3 e votave të kardinalëve dhe ka vendosur të quhet Papa Francesko I. Ai doli i emocionuar përpara besimtarëve të shumtë që kishin mbushur sheshin Shën Pjetër, duke u kërkuar që të luten për njëri-tjetrin dhe për të gjithë botën. 

76-vjeçari Jorge Mario Bergoglio është Papa i 266-të që drejton Kishën Katolike. Ai është Papa i parë që quhet Francesko dhe i pari latino-amerikan në historinë e Kishës 

115 kardinalët kanë hedhur poshtë të gjitha hipotezat për emrin e Papës së ri, pasi Jorge Mario Bergoglio nuk ishte ndër emrat favoritë për të zënë vendin e Benediktit XVI.

*******************************************************************************

19.44 Oxhaku i Kapela Sistine ka nxjerrë tymin e bardhë që sinjalizon se selia e shenjtë e Vatikanit ka Papën e saj të ri. 

115 kardinalë të mbledhur në Romë nga e gjithë bota votuan pasditen e së mërkurës për herë të pestë, duke zgjedhur kreun e ri të besimtarëve katolikë. 

Kembanat e Bazilikës së Shën Pjetrit konfirmojnë zgjedhjen e Papës së ri. Tani pritet lajmërimi ‘Habemus Papam’ për të mësuar identitetin dhe emrin e zgjedhur të atit të ri të shenjtë. 

Mijëra besimtarë katolikë po festojnë zgjedhjen në sheshin Shën Pjetër, me brohoritje 
dhe ovacione, duke e konsideruar atin e shenjtë si simbol të paqes dhe lirisë. 

Zgjedhjet e parakohshme në Vatikan u mbajtën pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI më herët gjatë vitit, për shkak të moshës së thyer. 

Lajmi për zgjedhjen e Papës së ri po qarkullon në mediat e të gjithë botës, të cilat e kanë nxjerrë atë në plan të parë në edicionet e tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button