RDK mbajti konventën promovuese për komunën e Tetovës

Në Qendrën për kulturë në Tetovë, mbrëmë RDK promovoi kandidatin për kryetar komune të Tetovës – Izet Zeqiri dhe listën e këshilltarëve.

Kryetari Rufi Osmani në fjalimin e tij tha se RDK në këto zgjedhje lokale është alternativa për rilindje të Tetovës dhe i ftoi qytetarët që të votojnë kandidatin e RDK-së, Izet Zeqiri.

“Izet Zeqiri është njeri i cili ka dituri, ka përvojë, ndershmëri dhe është një profesionist i vërtetë. Ai është njeri i cili sfidat di t’i shndërrojë në dobi. Në vitin 2009 nuk kisha aspak dilema që ta kandidoj për deputet. Ai arsyetoi mandatin e besuar për deputet, ndërsa akoma më shumë do ta arsyetojë mandatin si kryetari i ardhshëm i komunës”, theksoi Osmani.

Ai bëri një paralele ndërmjet kandidaturës së RDK-së për Tetovën dhe kandidaturat e BDI-së dhe PDSH-së.

“Slloganin “Bashkë ndërtojmë” BDI duhet t’ia huazojë partisë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, sepse BDI nuk ndërton asgjë të dobishme për shqiptarët, ndërsa partneri i saj në qeveri vërshoi Shkupin me përmendore. Kjo parti as në nivel lokal nuk funksionon si duhet, sepse komunat të cilat ajo i menaxhon, kanë xhiro-llogari të bllokuara dhe nuk kanë të drejtë morale të flasin për arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale dhe çështje të tjera. Nga ana tjetër, PDSH-ja Tetovën, si pasojë e keq menaxhimit, e ka sjellë në një situatë akoma më të keqe se sa ishte komuna e Gostivarit në vitin 2009”, nënvizoi Rufi Osmani.

“Menaxhimi me Tetovën në tetë vitet e fundit nga kuadrot e dy partive oponente, konfirmon se atyre nuk duhet tu besohet mandati, sepse janë të paafta për të udhëhequr. Unë do të angazhohem për zhvillim ekonomik lokal, hapjen e vendeve të reja të punës dhe thithjen e investimeve të jashtme. Nuk mund të lejojmë që nga mjetet e planifikuara për investime kapitale në komunë e  Tetovës, të realizohen vetëm 35 për qind. Nuk është normale që në shekullin 21, Tetova – qytet i dy universiteteve të mos ketë ujë për pije dhe nuk është normale që të shiten lokale për ndërtim të ujësjellësit i cili akoma nuk është realizuar. RDK do ta zgjidhë problemin e ujësjellësit, do të investojmë në infrastrukturë dhe arsim, do të angazhohemi për alokim të drejtë të mjeteve buxhetore, nuk do të lejojmë mbipunësimet në administratën komunale” , theksoi Zeqiri.

Para të pranishmëve folën edhe bartësi i listës së RDK-së për Tetovën, Hamdi Saiti dhe kandidatja për këshilltare Sanije Berisha, ndërsa konventën e përshëndetën edhe kandidatët e RDK-së për kryetar të Zhelinës, Bogovinës dhe Teracës, si dhe bartësi i listës për komunën e Bërvenicës. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button