Ahmeti: Politika do kompromis, USHT në Kumanovë ishte kompromis

Bashkimi Demokratik për Integrim mbrëmë mbajti tubim në Kumanovë. Në të, kandidati për kryetar të komunës së Kumanovës, Arif Latifi premtoi shkolla të reja, kopsht për fëmijë dhe institucion për persona me nevoja të veçanta.

Porositi se do të realizojë edhe projekte infrastrukturore, siç janë projektet për normalizimin e furnizimit me ujë, ndërtimi i rrjeteve të kanalizimit dhe infrastruktura rrugore.

“Duke i shfrytëzuar ingerencat komunale do të investojmë në bujqësi, sepse një pjesë e madhe e qytetarëve merren me bujqësi dhe do të krijojmë kushte për plasman të prodhimeve jashtë Maqedonisë. Duhet të kryhet analiza se sa shqiptarë janë të përfshirë në administratën komunale në pajtim me Marrëveshjen e Ohrit. Slogani jonë është ‘Bashkë ndërtojmë’ dhe kjo është platforma e cila ofron projekte nga ekonomia dhe infrastruktura”, tha Latifi.

Lideri i partisë, Ali Ahmeti  theksoi se është krenar që pikërisht nga Universiteti Shtetëror i Tetovës nga Kumanova doli gjenerata e parë e të diplomuarve.

“Ky është kompromisi im për Kërçovën, për të udhëhequr politikë duhet të bësh kompromis, dhe pikërisht hapjen e USHT-së në Kumanovë e konsideroj për kompromis. Isha veçanërisht krenar në kazermën kur u prit shiriti për hapjen e Universitetit Shtetëror të Tetovës i cili paraqet qendër të arsimit”, tha Ahmeti duke theksuar se është i  nevojshëm një numër i madh i këshilltarëve shqiptar që të mund të zbatohen projektet e rëndësishme për to.

“Në Kumanovë njëherë e kemi paguar çmimin nga particializimi i këshilltarëve shqiptarë. Në të kaluarën kishim shumë këshilltarë, për dallim nga zgjedhjet e kaluara lokale kur numri i këshilltarëve shqiptarë u zvogëlua. Shqiptarët në Kumanovë kanë nevojë për përparim të mëtutjeshëm. Besoj se në këto zgjedhje do të fitojmë më shumë vende të këshilltarëve sesa në të kaluarën. Këtë duhet ta dëshmojmë më 24 mars”, tha Ahmeti.

Lajme të ngjashme

Back to top button