Për ju të sistemit gjyqësorë në Maqedoni të Veriut, ja çfarë nënkupton dygjuhësia në praktikë?

Kur e vërejmë praktikën e dygjuhësisë në sistemin gjyqësorë të Tetovës dhe Gostivarit, shpesh na shkon mëndja në një aspekt krahasues, tek një shembull që e hasim në sistemin gjyqësor të qytetit  Biel/Bienne, në Zvicër. Një qytet ky me një përbërje etnike që i ngjason asaj të qyteteve tona të përmendura. Një qytet ku përdoren në mënyrë të barabartë të dyja gjuhët zyrtare, gjuha gjermane dhe ajo frënge.

Ja një shembull konkret. Pas hapjes së një hetimi dhe procedure penale, ndodhë që personi i akuzuar  të merret fillimisht në pyetje në gjuhën frënge. Në etapën e radhës, po për të njëjtën lëndë, në kuadër të marrjes së vendimit për masat e paraburgimit, marrja në pyetje nga prokurori ndodh që të zhvillohet në gjuhën gjermane. Kurse pastaj në fazën finale të procedurës, apo në seancën dëgjimore, para prurjes së aktgjykimit, marrja në pyetje në gjykatë të bëhet përsëri në gjuhën frënge. Kuptohet, ne rast të mosnjohjes së gjuhës nga i akuzuari, sigurohet përkthimi.

Për shkresat, vendimet, ankesat, por edhe për shumë aspekte dhe formalitete të tjera procedurale përdoren paralelisht të dy gjuhët zyrtare të institucioneve gjyqësore. Brenda një dite, mund të bihet një aktgjykim si në gjuhën gjermane ashtu edhe në atë frënge.

Edhe një detaj tjetër simbolik. Që nga momenti kur futemi në brendinë e gjykatës, ku lokalet i bashkëndajnë prokurorët dhe gjyqtarët, në sportele mund të përdoret si gjuha frënge ashtu edhe ajo gjermane. Pa asnjëfarë kompleksi! Kurse, duke ecur nëpër hapësirat e gjykatës, kur kalojmë përreth ndonjë personi, posaçërisht të personelit të gjykatës, lirshëm mund ta përshëndesim, mund të pyesim, me gjuhën që flasim apo të cilën e preferojmë. Shpalljet apo informatat në muret e ndërtesës, edhe ato i hasim në dy gjuhë.

Duke bërë pak hapa, pas largimit nga hapësirat e gjykatës, brenda vetëm pak minutash iu afrohemi zyrave noteriale. Dikush në gjermanisht dikush në frëngjisht, çdokush e përdorë gjuhën e vetë, sipas dëshirës së vetë dhe sipas kompetencave të veta gjuhësore. Pa asnjë rezervë. Jo vetëm se gjërat janë të garantuara me ligj, por lehtë bie në sy fakti i shprehjes së kënaqësisë dhe të spontanitetit për me i përdorur të dy gjuhët e këtij qyteti. Kuptohet pra se edhe interesi personal, sidomos ai profesional mbanë njëfarë ndikimi!

Të gjithë këto protagonistë të sistemit gjyqësor e kanë kuptuar që kah moti se për me qenë efikas dhe për me iu përgjigjur kërkesave profesionale të kohës dhe të vendit ku jetojmë, duhet të mësohen që të dy gjuhët. Nuk mund të imagjinohet që të punohet në instancat gjyqësorë të këtij qyteti në qoftë nuk zotërohen të dy gjuhët. Ekziston megjithatë një shkallë tolerance; nuk kërkohet një njohje perfekte, por së paku një njohje e mjaftueshme për me i konsultuar pa vështirësi dosjet apo shkresat e lëndës. Jo pra, është e paimagjinueshme me u integruar në postet e përmendura nëse kandidati nuk posedon njohuri të mjaftueshme në të dy gjuhët zyrtare të këtij qyteti.

Shprehen shpeshherë shenja krenarie dhe kënaqësie tek ata të cilët kanë prirje në të dy gjuhët. Kurse bie në sy edhe një ndjenjë sadopak keqardhjeje apo dobësie tek ata të cilët nuk posedojnë njohuri të mjaftueshme të gjuhës tjetër. Qofshin raste të rralla këto!

Nëse i bëjmë disa hapa përballë godinës së gjykatës, do të bien menjëherë në sy edhe emrat e rrugëve që janë të shënuara në dy gjuhë. E pikërisht në rrugët e këtij qyteti, diku do të mund të gjendet edhe adresa e ndonjë partie politike. Qoftë ajo radikale, socialiste, etj., qoftë ajo e djathtë apo e majtë. Po të gjitha këto punojnë së bashku, e jo në mënyrë të ndarë. Nuk ekzistojnë partitë e atyre që e flasin gjuhën gjermane dhe të atyre që flasin një gjuhë tjetër. Ekzistojnë vetëm parti të përbashkëta. Në tubimet e tyre, çdokush mund të shprehet lirshëm në gjuhën e vetë, e kurse tjetrit kjo nuk i pengon aspak. Përkundrazi, çdokush e jep mundin për me e kuptuar njëri tjetrin, duke e respektuar të drejtën e njëri tjetrit!

Pra, jo vetëm sistemi gjyqësorë, por edhe shumë praktika të tjera funksionimi  e rikonfirmojnë praninë dhe domethënien e dygjuhësisë në mjediset ku ajo duhet të kultivohet dhe respektohet. Kështu rezymohet ky shembull model, i qytetit të Biel/Bienne, i cili pa asnjë dilemë mund të shërbej si burim frymëzimi për të tjerët, e pse jo edhe për ne!

Kjo është pra dygjuhësia, kjo është pasuria e bashkëjetesës! Vështirë me gjetur definim tjetër më të mirë!

Në kuadër të reflektimeve mbi këtë çështje, mu kujtua fjala e një bashkëvendësi nga Gostivari, i cili diku para disa viteve, duke u afruar së bashku te ura e Vardarit, e shprehu kënaqësinë kur e vërejti se në afërsi të urës, emri i lumit ishte i shënuar edhe në gjuhën tonë, dhe e potencoi një shembulli krahasues të së kaluarës ku emri kishte qenë i shënuar vetëm në një gjuhë tjetër. Kjo është diçka e rëndësishme, u shprehë ai. Përtej kësaj ure, e kemi gjykatën dhe zyrat noteriale, e atje aktet përpilohen vetëm në një gjuhë, nuk bihen aktgjykime në gjuhë të tjera, u shtrua pyetja ? Çdo gjë u dukë e komplikuar për me dhënë përgjigje!

Jo, kjo nuk quhet dygjuhësi!

Shkruan: Lirim Begzati

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button