Skender Asani: Vendimi për dënimin e shqiptarëve në rastin e Kalasë, porosi e qarqeve politike maqedonase

Vendimi i sotëm i Gjykatës Penale të Shkupit që të më dënojë me kusht prej shtatë muajsh mua dhe 13 shqiptarë tjerë, nuk është tjetër veç se një dëshmi se procesi gjyqësor lidhur me ngjarjet në Kalanë e Shkupit, që ndodhën në shkurt të vitit 2011 është politikisht i montuar dhe ka motive të politikës ditore.

Kështu shprehet kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Skender Hasani duke kërkuar që Këshilli Gjyqësor Republikan t’i marrë licencën gjykatëses që morri vendimin që sipas tij, ajo nuk gjykoi në bazë të argumenteve juridike, por në bazë të porosive politike.

“Me anë të këtij vendimi gjyqësor, qarqe të caktuara politike maqedonase dëshirojnë që të zhvlerësojnë angazhimin dhe përpjekjet e shoqërisë civile që në pesë vitet e kaluara argumentoi me fakte konkrete trashëgiminë kulturore iliro-shqiptare në Kalanë e Shkupit. Ky dënim  ka motivacion kërcënimin dhe mbjelljen frikë tek ata që ankimuan vendimin e mëparshëm gjyqësor” ka reaguar sot Hasani.

Sipas tij, vendimi është miratuar pa pasur dëshmi faktike materiale, por nën arsyetimin se angazhimi im dhe i shqiptarëve të dënuar me kusht, ka ndikuar në aspektin psikologjik në zhvillimin e ngjarjeve.

“Konsiderojmë se ky vendim i këtillë na i rikthen në kujtesë vendimet gjyqësore të ish-sistemit gjyqësor jugosllav, rrjedhimisht edhe maqedonas, në të cilin shqiptarët dënoheshin për veprën e quajtur ‘delikt verbal’, prandaj vendimi i sotëm është i pari në botë që dënon dikë, qoftë edhe me kusht, për dimensionet psikologjike të një vepre penale. Kjo është precedent i paparë që po të ndodhte në ndonjë shtet tjetër evropian, do të ishte skandal i madh shtetëror” thotë Hasani duke theksuar se ndaj këtij vendimi do të bëhet ankesë ne Gjykatën e Apelit në Shkup, majde dhe në Gjykatën e Starzbugut për të drejtat e njeriut.

Lajme të ngjashme

Back to top button