Osmani e promovoi “Diplomacia e blertë – normalja e re”

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në një dalje për media e bëri publike iniciativën “Diplomacia e blertë – normalja e re”.

“Jo rastësisht ndodhemi në parkun e qytetit, në një atmosferë të bukur, të këndshme dhe të blertë, në një ambient që asocon në projektin tonë që do të lançojmë sot, se Ministria e Punëve të Jashtme po bëhet e blertë. Jam i vetëdijshëm se kjo nuk është temë e politikës ditore, por në marrëdhëniet ndërkombëtare imponohet si çështja më e rëndësishme për të ardhmen e botës. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë abstraksion. Në raportet e saja, Kombet e Bashkuara i numërojnë zjarret dhe përmbytjet si pasojat më të rënda të ndryshimeve klimatike”, theksoi Osmani.

Osmani i prezantoi projektet, që sipas tij, përmes të cilave do të zbatohet kjo nismë, me ç’rast informoi se do të emërohet Ambasador për çështje klimatike, kompetencat e të cilit do të jenë promovimi i politikave vendore dhe ndërkombëtare për ruajtjen e ambientit jetësor.

“Politika e jashtme e blertë do të duhet t’iu përshtatet sfidave të vendimmarrësve në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe ndikimeve të tyre, ndërkaq ambasadat do të jenë udhëheqëse kryesore në iniciativën e diplomacisë së blertë, që do të thotë edhe zero plastikë në MPJ dhe në tërë rrjetin diplomatik, ndarje të automjetit me kolegët, ngasje të biçikletës apo trotinetit, pajisje diellore si burime të qëndrueshme të energjisë, kursim të letrës, përdorim të llambave të kursimit të energjisë”, theksoi Osmani.

Ministri informoi se është në rrjedhë formimi i një njësie të posaçme në MPJ për diplomacinë e blertë, e cila do t’i ndjekë dhe analizojë politikat ndërkombëtare në fushën e ndryshimeve klimatike dhe ruajtjen e ambientit jetësor dhe do të prodhojë udhëzime të cilat do të shndërrohet në politika konkrete vendore.

Duke i prezantuar të gjithë hapat përmes të cilëve do të realizohet nisma, Osmani theksoi se do të ndërtohet një çati e blertë në ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, do të vendoset një sistem i ndarjes së mbeturinave ndërsa ndërtesat e ambasadave do të duhet t’i përshtaten efikasitetit energjik.

“Do të praktikohen edhe takime të blerta, të cilat po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në mesin e diplomatëve në të gjithë botën, por madje po bëhen edhe një domosdoshmëri me zgjatjen e pandemisë së Covid-19. Ne kemi vizion për t’u bërë vendi i parë në rajon, i cili do të sigurojë mjedis të qëndrueshëm pune në Ministri, por edhe në rrjetin diplomatik në pesë vitet e ardhshme. Përmes “Diplomacisë së blertë – normales së re”,  Ministria do të përpiqet që përmes hapave të listuara dhe projekteve serioze ta arrijë këtë transformim ambicioz. E ardhmja është e blertë edhe për diplomacinë” përfundoi Osmani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button