Thaçi: Jo bisedime të drejtpërdrejta me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se nuk mund të ketë bisedime të drejtpërdrejta me Serbinë dhe as ndryshim të formatit të bisedimeve aktuale, që ndërmjetësohen nga shefja e politikës së jashtme te Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Ai i bëri këto komente pas deklaratave të kryeministrit serb Ivica Daçiç, se të dyja vendet duhet të vazhdojnë bisedimet qoftë edhe të drejtpërdrejta në funksion të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

“Tani gjithçka do të varet nga angazhimi, përkushtimi dhe udhëheqja e baroneshës Ashton. Adresa për çdo përgjigje është në Bruksel, e konkretisht tek baronesha Ashton. Tjera negociata nuk do të ketë. Tjetër adresë nuk do të ketë dhe dialog të drejtpërdrejtë nuk do të ketë”, tha ai.

Kryeministri Thaçi tha se ende shpreson që Beogradi do të jetë i qartë në qëndrimet e tij dhe nuk do të mbetet në pozicionet e së kaluarës që përcaktojnë izolimin e Serbisë.

Autoritetet serbë thonë ndërkaq se janë të gatshme të vazhdojnë përpjekjet, meqë, siç ka deklaruar sot zëvendëskryeministri serb Aleaksandër Vuçiç, nuk ka kohë për të humbur. Por, Beogradi ngulë këmbë që në vazhdimin e mundshëm të bisedimeve të sigurojë me shumë autonomi për komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, përkatësisht fuqi ekzekutive në fushat e policisë drejtësisë dhe planifikimit hapësinor.

Prishtina nuk pajtohet me kërkesa të tilla që mund të çojnë një ndarjen e brendshme të vendit.

Kryeministri Thaçi tha se dështimi i mundshëm i bisedimeve nuk i bënë mirë asnjërës palë.

Nga rezultati i këtyre bisedimeve varet edhe data e negociatave për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova do të duhej të merrte datën e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Të martën, më 16 prill, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton do të raportojë për rrjedhën e bisedimeve, ndërsa më 22 prill, Komisioni Evropian duhet të vendosë për hapat e mëtejmë të Serbisë dhe Kosovës në rrugëtimin e tyre drejt integrimeve evropiane./VOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button